Telegrafi

Top Awards shpërfill shijen e shqiptarëve? Nuk nominon hitin “Shake it” nga Genta dhe Etnon

Pak javë më parë, në muajin prill, u prezantuan detaje nga eventi më i ri muzikor, “Top Music Awards”, në një konferencë për shtyp.

Pritshmëria për të zënë një vend në listën e më të vlerësuarve, e cila do të konkretizohet në datën 24 qershor, është shumë e lartë si për artistët pjesëmarrës, ashtu edhe për fansat e tyre. Një ndër çështjet që u diskutuan gjatë konferencës ishte edhe mungesa e këngës “Shake it” të Genta Ismajlit dhe Etnon. Mesa duket, mbi 15 milionë klikime brenda 2 muajve dhe eksperienca e bashkëpunëtorëve të kësaj kënge nuk i ka bindur organizatorët e eventit.

Për të folur për herë të parë rreth kësaj çështjeje dhe për të na dhënë përshtypjet e tij, menaxheri Adem Ramadani i kompanisë “Trejat”, e cila ka nën menaxhim Genta Ismajlin, shprehet kështu për Blitz.

“Pasi analizuam çdo gjë, vendosëm që paraprakisht t’u bëjmë me dije atyre se kënga është materiali më i dëgjuar i momentit në çdo vend ku shqiptarët jetojnë”, – thotë ai, duke iu referuar organizatorëve të eventit.

“Kjo gjë është fakt, në dallim nga disa këngë të tjera, të cilat shtyhen me presion, me interesa personale apo që tentojnë të imponohen me çdo kusht nga mekanizma të caktuar. “Shake it” është pranuar në masë jashtëzakonisht të madhe vetëm nga vullneti i lirë i njerëzve dhe nga dëshira e tyre për ta konsumuar sa më shumë. Brenda 2 muajsh ka afërsisht 16 milionë klikime në YouTube”.

Më tej, Ramadani shton:

“Pasi pamë mungesën e këngës, atëherë e kuptuam si konflikt personal ndaj nesh dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë kësaj ideje deri në momentin që nga ana e tyre nuk ka sqarime. Nga një kontakt që kam pasur me Ledion Liçon, ai më ka thënë shkurt: ‘Thjesht nuk mendojmë se ka arritur atë pikë mjaftueshëm”. Në një lloj forme ata kanë fyer mbarë publikun shqiptar duke shpërfillur shijet e tij apo edhe mediat e tjera, të cilat i kanë dhënë këngës hapësirë të jashtëzakonshme. Gjithsesi, ne vazhdojmë t’i trajtojmë me respekt”, – kanë qenë fjalët e menaxherit, i cili shprehet i zhgënjyer nga kjo gjë.

Krahas kësaj, Ramadani ka folur edhe për deklaratat e Arian Çanit në emisionin “Elite zone”, ku është shprehur se nuk e ka tërhequr kurrë Genta Ismajli e nëse ajo do t’i kërkonte ta puthte në emisionin e tij, nuk do të pranonte. /Telegrafi/