Site icon Telegrafi

Toni Korenica i gatshëm për Dritën: Për Lirinë vlen vetëm fitorja

Mesfushori ofensiv i Lirisë, Meriton Korenica, është shprehur optimist para duelit ndaj Dritës që zhvillohet në Prizren.

Liria pas dy humbjeve në xhirot e para realizoi fitoren e parë në Mitrovicë dhe sipas Korenicës klubi prizrenas do të provojë të krijojë një vazhdimësi në rezultate. Përkundër respektit për Dritën, sipas mesfushorit që mund të luajë edhe anësor i majtë, për Lirinë vetëm fitorja vlen.

“Drita është një skuadër e fortë, e cila u forcua gjatë verës. Është ekip i rrezikshëm. Në Superligë të gjitha ekipet janë të forta. Megjithatë, pas fitores në Mitrovicë, ne do të kërkojmë fitoren para publikut tonë dhe të krijojmë seri të fitoreve dhe të rezultateve pozitive. Dy humbjet nuk ishin refleksion i lojës, andaj besoj në rezultate pozitive”, u shpreh ai për Telegrafin.

Duke folur për pozitën e tij, ai thotë se nuk ka problem pasi që është në gjendje të luajë ku do që i kërkon trajneri i Lirisë, Ramiz Krasniqi.

“Këto janë zgjedhjet e trajnerit Krasniqi, një trajner i madh dhe i dëshmuar në futboll. Kam raport të shkëlqyer me të.  Jam i gatshëm të luaj ku do që thotë trajneri”, potencoi Korenica.

Korenica kaloi te Liria nga Shkëndija e Tetovës ku tashmë ka filluar të shndërrohet në lojtar kyç të fazës ofensive të skuadrës prizrenase. /Telegrafi/

Exit mobile version