Site icon Telegrafi

Tomitka nga Gjevgjelia vitin e kaluar ka lexuar 438 libra: Kam lexuar deri në 15 orë në ditë

Leximin e librave në Maqedoni e praktikojnë disa njerëz, disa për shkak të hobit, disa për shkak të mbushjes së kohës së lirë. Leximi pasuron fjalorin dhe hap botë të reja letrare që ekzistojnë vetëm në letërsi.

Tomitka Radanlieva nga Gjevgjelia vitin e kaluar bëri arritje të pazakontë, duke lexuar gjithsej 438 libra, gjë që është për t’u përshëndetur. Në një intervistë për “Fokus”, ajo ka treguar për dashurinë e saj për librat, të cilët janë miku i saj më i mirë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kam lexuar libra që në fëmijëri, që në moshën parashkollore – librat me figura i kam lexuar me ndihmën e gjyshes. Më pas, dashurinë për librin e mbollën mësuesit e mi të shkollës fillore dhe të mesme. Çdo herë i kam lexuar lektyrat dhe disa prej tyre i kam lexuar shumë herë”.

“Lexoja sa herë që kisha kohë të lirë, pas shkollës ose kur mbaroja punën. Kur u bëra nënë, mora shumë përgjegjësi të reja, dhe koha për të lexuar libra po shkurtohej gjithnjë e më shumë. Para tre vitesh, për shkak të problemeve shëndetësore, e ndërpreva punën që e bëja për shumë vite dhe fillova aktivisht dhe vazhdimisht të lexoj libra”, thotë Radanlieva.

Anëtarësimi në grupe letrare në rrjetet sociale e nxiti edhe më tej të “infektohej” me librat që i bëjnë shoqëri çdo ditë.

“Kur nuk të lejohet të lëvizësh shumë dhe të duhet të kalosh gjithë ditën shtrirë, nuk ka asgjë tjetër për të bërë. Unë thjesht shtrihem dhe lexoj, dhe kjo është gjithçka që më mbush. Librat që kam lexuar nuk i shoh si numër, thjesht mbaj shënime të asaj që kam lexuar. Kisha vendosur të lexoja rreth 350 libra, por kjo ishte vetëm një sfidë për mua”.

“Mund të them se lexoj vazhdimisht gjatë ditës, pa nevojat bazë ditore, rreth 12 deri në 15 orë. Zakonisht lexoj disa libra në të njëjtën kohë, kështu që ndonjëherë në të njëjtën ditë përfundoj duke lexuar dy deri në tre libra, sigurisht nëse kanë një numër më të vogël faqesh”, tha ajo në intervistë./Telegrafi/

 

Exit mobile version