Fatin e presidentit të ri, Hashim Thaçi, e kanë në duar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, organ ky që në dy raste më herët i pati rrëzuar nga pozita dy presidentë republike, Fatmir Sejdiun e Behgjet Pacollin, raporton KTV.
Janë bërë 5 ditë prej kur opozita e bashkuar ka deponuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën me të cilën kontestoi zgjedhjen e Hashim Thaçit në krye të shtetit.
Masë të përkohshme ndaj çështjes, e pastaj edhe shfuqizim të vendimit të Kuvendit të datës 26 shkurt ka kërkuar opozita, e të drejtë atyre po u jep avokati Tomë Gashi që thotë se Kuvendi më 26 shkurt e shkeli kushtetutën.
Ai Hashim Thaçin e ka quajtur president jovalid, të zgjedhur nën masa shtetrrethimi, ku kanë munguar vetëm tanket e njësitet antiterroriste.
Gashi ka thënë se më 26 shkurt ka pasur shkelje që nga fillimi i seancës, e një pjesë të fajit e bart edhe vetë kreu i Kuvendit.
Edhe kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, që aktualisht po e vuan masën e arrestit shtëpiak për veprimet në Kuvend, thotë se kryetari i Kuvendit e ka pasur obligim kushtetues të kujdesej për përbërjen e plotë të legjislativit.