Telegrafi

Tomë Gashi: Prokuroria Speciale duhet ta zbardhë vdekjen e Astrit Deharit

Avokati i familjes së të ndjerit Astrit Dehari, Tomë Gashi ka mirëpritur vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi që rasti i vrasjes së Astrit Deharit të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren nën juridiksionin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se Prokuroria në Prizren ka qenë e njëanshme dhe si e tillë ka humbur kredibilitetin që të merret me këtë rast.

Lexo po ashtu Lumezi merr vendim që rasti i Astrit Deharit të kaloj në Prokurorinë Speciale

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka thënë se Prokuroria Speciale ka kapacitete për ta zbardhur të vërtetën për vdekjen e Astritit.

Sipas tij, prokuroria e shtetit mund të angazhojë edhe prokurorë amerikan në mënyrë që vrasësit e Astrit Deharit të dalin para drejtësisë.

Gashi ka ritheksuar se është ditur fare mirë se vrasja e Astritit është vrasje e natyrës politike.

Ai ka thënë se drejtësia e dërguar në vend do të jetë drejtësi për Astritin.