Vazhdojnë reagimet pas dorëheqjes së papritur të prokurorit Elez Blakaj.
Avokati Tomë Gashi përmes një shënimi në Facebook ka kërkuar nga Blakaj që të “hakmerret” ndaj personave që e detyruan atë të dorëhiqej.
Sipas Gashit kjo “hakmarrje”, do të bëhej duke u publikuar emrat e këtyre personave dhe se ky gjest nga Blakaj do të ishte obligim në interes të Kosovës dhe drejtësisë, përcjell Telegrafi.
Këtë borxh, avokati thotë se Blakaj e ka ndaj SHBA-së, të cilët e ndihmuan të shkollohej dhe profesionalizohej.
Gashi ka thënë ndër të tjera, se profesionalizmin e prokurorit Blakaj askush nuk e ka vënë në dyshim përfshirë edhe vet atë si avokat.
Më poshtë shënimi i plotë i avokatit Tomë Gashi
PROKURORI ELEZ BLAKAJ DUHET TË “HAKMERRET” NDAJ ATYRE QË E DETYRUAN TË JAPË DOREHEQJE!
Një ndër Prokurorët më profesional në Kosovë z.Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij i detyruar nga ata të cilët i ka hetuar dhe duket se edhe ka ngritur aktakuzë kundër tyre për krime tepër serioze.
Në interes të shtetit të Kosovës dhe të drejtësisë Prokurori Blakaj do të duhej që të gjente mundësi t’i bëjë publike emrat e atyre të cilët i ka hetuar për keqpërdorime çfarëdo lloje qofshin dhe posaçërisht për ato që ndërlidhen me listat e ish-pjesëtareve të UÇK-së.
Dihet se një numër jashtëzakonisht i madh i tyre përfitojnë në mënyrë të rrejshme dhe mashtruese para nga buxheti i Kosovës e që kurrë nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK -së por kanë qenë dhe janë mashtrues ordinere.
Jo shume larg publikoheshin në media edhe ata të cilët nuk e paguanin energjinë elektrike apo shpenzimin e ujit dhe të ngjashme.
Kështu që, Prokurori Blakaj do te duhej qe t’i bënte publike emrat e atyre që i kanë bërë presion për të dhënë dorëheqje nga Sistemi Juridik i Kosovës dhe kështu i bën përfundimisht një shërbim të mire Kosovës si shtet, UÇK-së dhe drejtësisë në përgjithësi.
Sepse ata persona qofshin zyrtarë shtetërorë apo politik, apo ish eprorë të UÇK -së do të përballën me një Prokuror tjetër për presionet që ia kanë bërë atij dhe përfundimisht do të njollosen aq shumë sa qe ndikimi i tyre do të eliminohet përjetësisht ndaj atyre të cilët punojnë për drejtësi.
Prokurori Elez Blakaj e ka për obligim të “hakmerret” ndaj tyre duke i bërë publike emrat e të hetuarve, të akuzuarve dhe atyre që i kanë bërë presion ta lë punën e tij që e ka bërë me shumë sukses.
Këtë z.Elez Blakaj ia ka borxh dhe atyre që e kanë ndihmuar në shkollimin dhe profesionalizmin e tij të cilin askush asnjëherë nuk e ka vene në dyshim duke përfshirë edhe veten time si avokat në raste të punës së tij si Prokuror për vepra penale të krimeve tepër të renda duke përfshirë edhe veprat penale të krimeve të luftës.
Prokurorin Blakaj unë dua ta mbajë në mend si prokuror të dijshëm, me shkathtësi të veçanta juridike, të guximshëm dhe për këto arsye ai duhet të “HAKMERRET”. /Telegrafi/