Avokati Tomë Gashi ka thënë se Gjykata Speciale gjykon pa parime dhe prokurorët e saj kanë shpikur prova kundër UÇK-së, por sipas tij, këtë racizëm të kësaj gjykate ia kanë mundësuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që kanë votuar atë në vitin 2015.
Gashi ka folur për prokurorin e specializuar të Gjykatës Speciale në rastin Salih Mustafa (Cail), Cezar Mihalchuk, duke thënë se i njëjti kishte qenë i angazhuar edhe në rastin e “Grupit Drenica”.
Sipas Gashit, një prokuror i tillë edhe nëse i dënon pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me burgim të përjetshëm, nuk është mjaftë për të.
“Prokurorët e tillë të Gjykatës Speciale kanë shpikur prova kundër ushtarëve të UÇK-së”, ka deklaruar Tomë Gashi ish-avokat i “Grupit Drenica” gjatë një debati në RTV Dukagjini.
Më tej, avokati këto akuza i ka argumentuar duke thënë se ky prokuror ishte i angazhuar kundër ish-Komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi.
“Kryetari i trupit gjykues edhe në biseda private, të cilat janë ditur, i ka trajtuar shqiptarët që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me lloj-lloj ofendimesh”.
Sipas Gashit, nëse Gjykata Speciale dëshiron pak drejtësi, duhet që të dënohet vepra me ligjet ekzistuese në momentin kur ishte kryer krimi i supozuar.
“Parime të drejtësisë nuk ka në Gjykatën Speciale dhe secilin dënim që merr secili ushtarë i UÇK-së, e ka ‘dhuratë’ nga deputetët e Kuvendin të Kosovës”, kështu ka vlerësuar avokati Gashi.
Sipas tij, këtë ‘gjykatë raciste’ e ka themeluar Kuvendi i Kosovës, që i gjykon vetëm shqiptarët./Dukagjini/