Avokati i rastit të Astrit Deharit, Tomë Gashi ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që deputeti Haki Abazi të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë.
Gashi ka thënë se Haki Abazi duhet të dorëzojë provat në Prokurori.
“Pas prononcimeve te deputetit te Republikës së Kosovës z.Haki Abazi, ka paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për marrjen në pyetje të tij në cilësinë e dëshmitarit”, ka shkruar Gashi.
“Z.Haki Abazi e ka borxh ndaj Astrit Deharit dhe e ka obligim ligjor që të dëshmoj dhe ti dorëzoj të gjitha provat që ai pretendon se i ka në Prokurori e që kanë të bëjnë me rastin e zhdukjes se mostrave biologjike dhe të gjakut të Astritit, te cilat janë zhdukur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë e që për zhdukjen e tyre është bërë e ditur para 2 muajve”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, askush nuk mund të intervistohet para Abazit dhe i ka kërkuar Prokurorisë që kërkesën e tij ta konsiderojë urgjente./Telegrafi/