Telegrafi

Tom Hanks tregon filmin që e konsideron si një nga më të rëndësishmit në karrierë, edhe pse shumë pak flitet për të

(Foto: MovieWeb)

Tom Hanks ishte i ftuar në podcastin e ReelBlend dhe gjatë bisedës ka thënë se filmin “Road to Perdition” e konsideron një nga më të rëndësishmit në karrierën e tij, por që në fakt përmendet rrallë.

Aktori ka qenë një fytyrë e rregullt në filmat e suksesshëm hollivudianë që nga vitet e tetëdhjeta, duke luajtur role në hite të mëdha, duke përfshirë “Big”, “Toy Story”, “Saving Private Ryan” e “Catch Me If You Can”.

Ai fitoi dy çmime Oscar radhazi në vitet 1994 dhe 1995 për filmat “Forrest Gump” dhe “Philadelphia”, ndërsa u nominua edhe tri herë për aktorin më të mirë.

Nominimi i tij i fundit, për aktorin më të mirë dytësor, erdhi në vitin 2020 për rolin e tij si Fred Rogers në “A Beautiful Day in the Neighborhood”.

Me të gjithë titujt e lartpërmendur, Hanks beson se filmi me gangsterë i vitit 2002, “Road to Perdition”, është një nga më të mirët e tij dhe në një intervistë të re tha se nuk përmendet sa duhet kur njerëzit flasin për karrierën e tij.

“Për një arsye apo një tjetër, askush nuk e përmend ‘Road to Perdition’ dhe ky ishte një film tepër i rëndësishëm për mua”, është shprehur ai në podcastin ReelBlend.

Lexo po ashtu Fansat e Tom Hanks të shqetësuar për dukjen dhe gjendjen e tij shëndetësore

“Është xhiruar nga Conrad Hall dhe unë shfaqem si Don Mustache me kapelë, por keni dy djem që janë ndër emrat më të mëdhenj në historinë e industrisë – Jude Law dhe Daniel Craig”, vazhdoi ai, për të shtuar: “Dhe i vrava të dy…”.

“Road to Perdition” me regji të Sam Mendes është përshtatur nga romani i Max Allan Collins dhe skenaristit David Self. Ai ndjek Hanksin si mafiozi Michael Sullivan, djali i të cilit është dëshmitar i një vrasjeje që e vendos babanë e tij në rrugën drejt shpengimit. /Telegrafi/