Telegrafi

Tom Hanks kurrë nuk ka thënë se Kosova është Serbi

Raportimet e medieve serbe i ka përgënjeshtruar për “Kohën Ditore” zëdhënësja e yllit hollivudian, Leslee Dart. Ajo ka thënë se lajmi “Tom Hanks i mbron serbët: Kosova është Serbi”, është krejt i pavërtetë.

“Ky lajm është krejtësisht një trillim. Tom Hanks asnjëherë nuk e ka thënë këtë. Ju lutem mos shkruani asgjë për këtë, meqë ai asnjëherë nuk e ka thënë një gjë të tillë”, ka thënë ajo, pasi ka mësuar nga gazeta për raportimet e mediave serbe.

Por jo vetëm kaq. Pasi gazeta ia ka dërguar linkun me versionin anglisht të lajmit që është shpërndarë gjithandej, Dart, nëpërmjet përgjigjeve me e-mail, ka dhënë edhe sqarime shtesë. Ajo po ashtu e ka mohuar lajmin se ylli hollivudian është duke realizuar ndonjë film me Steven Spielbergun për historinë e Izraelit.

Mediat serbe kishin raportuar se deklaratën për Kosovën e kishte dhënë në një intervistë për televizionin kabllor amerikan “E”, ku ai raportohej se kishte folur për një dokumentar që trajton fatin e hebrenjve dhe këtu e kishte bërë lidhjen edhe me “dëbimin e serbëve nga Kosova”.

Megjithëkëtë, Hanks nuk do të dalë me ndonjë koment publik për këtë çështje.

“Jo, z. Hanks nuk do ta komentojë këtë. Kjo është plotësisht e pavërtetë. Tom Hanks nuk e ka thënë asnjëherë një gjë të tillë. Dhe as ai, as z. Spielberg nuk janë duke bërë ndonjë film ose dokumentar për historinë e Izraelit”, ka thënë Dart.

“Kjo krejtësisht është një trillim”, ka përsëritur ajo.

Gjatë ditës së martë, nëpër medie serbe gjithandej ka qenë i shpërndarë lajmi me titull “Tom Hanks i mbron serbët: Kosova është Serbi”. Por, askund nuk është parë versioni origjinal i intervistës që thuhet se ai ka dhënë për televizionin kabllor amerikan, “E”. Ueb faqja “theorthodoxchurchi.info”, me seli në Los Angeles që e ka shpërndarë më të madhe këtë artikull, të hënën i kishte thënë “Kohës Ditore” se burimi i këtij artikulli janë mediet serbe. /Telegrafi/