Telegrafi

Tolaj: Nuk e lejojmë askënd ta falë tokën e Kosovës

Valon Tolaj, sekretar ekzektuiv i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në Klan Kosova ka thënë se është gabim që të harrohen problemet e lëvizjes së lirë në vend, duke u marrë me liberalizimin e vizave.

“Ishte aksion simbolik ai i sotmi, pjesë e përgatitjeve tona para protestës. Gjithë pompoziteti pas lajmit për liberalizimin e vizave bëri që të harrohet që ne nuk mund të lëvizim brenda vendit tonë. Kjo ishte një përpjekje për të risjellë në vëmendje këtë fakt”, tha Tolaj.

“Kemi pasur raste kur një ministër i Qeverisë së Kosovës është kthyer në gjysmë të rrugës, brenda territorit të Kosovës. Është e qenësishme që lëvizja e lirë të jetë për qytetarët, jo për ministrat. Ata kanë udhëtuar edhe për në vendet e BE-së, por kjo nuk është esenca”.

Tolaj ka deklaruar se nuk janë duke synuar riformatimin e qeverisë, por rrëzimin e saj, për shkak të gabimeve që ka bërë.

“Nuk është në fokusin tonë riformatimi i qeverisë. Ne duam që ajo të shkojë. Janë qindra mijëra qytetarë të vendit që kërkojnë që kjo qeveri të mos jetë më, për shkak të gabimeve që ka bërë deri tani. Nuk janë kërkesa individuale, por janë të mijëra njerëzve”.

“Nuk ka rëndësi kush është në qeveri, por ka rëndësi situata në vend. Nëse ne mendojmë që ajo është e mirë, atëherë mund të vazhdojmë me riformatime. Kemi korrupsion të lartë, investime të huaja të ulëta, papunësi në nivele shumë të larta”, tha Tolaj.

Sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ai ka theksuar se nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë që shtetit fqinj t’i falen gjithë ata hektarë tokë.

“Dy kauzat e përfolura nuk kanë qenë të vetmet, por kanë qenë nisma e një mori tjerash. Nuk do t’i falet asnjë minstri, kryeministri apo deputeti, që në emër të funksionit të tij të falë tokë që nuk është e tij”, tha ai.

Tolaj ka komentuar protestën e së shtunës, e organizuar nga AAK dhe NISMA, për të cilën ka thënë se i përket qyetarëve të vendit, ndërsa ka shprehur habinë për mospjesëmarrjen e Vetëvendosjes në të.

“Protesta nuk është e AAK-së, ajo është e qytetarëve të vendit. Sa i përket mospjesëmarrjes të Vetëvendosjes në të, mund të them që është e habitshme, për faktin që është e para protestë ndoshta, që ajo nuk e përkrahë”, tha Tolaj.