Site icon Telegrafi

TOKA fillon trajnimin e HERO-njëve të ri

Pas pranimit të afër 900 aplikimeve për pjesëmarrje në projektin rajonal “HERO”, organizata “TOKA” ka zgjedhur 56 të rinj që do të ndjekin falas kurset në “Menaxhimin e rrjeteve sociale (Social Media Management)” apo “Zhvillimi i webfaqeve (Website Development)”.

Këta 56 të rinj që vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës, të cilët do të vijojnë kurset e zgjedhura për 6 muaj dhe do të kenë mundësi të mirë të përfshihen në tregun e punës.

Organizata TOKA, nëpërmjet projektit “HERO” ka për qëllim që t’i aftësoj të rinjtë kosovarë për tregun e punës në sektorin digjital për Menaxhim të Rrjeteve Sociale si dhe të Zhvillimit të Uebfaqeve – fusha këto në rritje dhe kërkesë për fuqinë punëtore.

Kurset do të mbahen në bashkëpunim me organizatat “Bonevet”, IREDS, dhe HAREJA.

Projekti rajonal “HERO” është program trajnues për të rinjtë kosovar i cili do të jetë plotësisht FALAS për 6 muaj, me module që sot fillojnë të zhvillohen në Kosovë dhe vazhdojnë më pas edhe në rajon. Për dallim nga programet e tjera që i ofrohen të rinjve, HERO është unik për arsye se kombinon kurset e shkathtësive të buta, të shkathtësive digjitale, këshillim në karrierë, trajnime dhe udhëtime në rajon, takime me punëdhënës potencial si dhe praktike profesionale për pjesëmarrësit e kurseve.

“Pjesëmarrësit do të aftësohen profesionalisht në sektorin digjital dhe do të jenë të gatshëm për tregun e punës, si dhe të përfitojnë nga praktikat profesionale me punëdhënës prestigjioz në Kosovë. Ne, si TOKA, përmes programeve tona, ju ofrojmë të rinjve Kosovarë mundësi që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre dhe projekti ‘HERO’ është një prej mundësive”, u shpreh Elina Morina, menaxhere e projektit në “TOKA”.

Rrugëtimi i këtyre të rinjve pjesëmarrës filloi sot në Prishtinë, ndërsa gjatë kësaj periudhe 6 mujore, ata do të vazhdojnë edhe me trajnime rajonale në Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi.

Projekti “HERO” (02HERO) është i financuar nga Bashkimi Evropian. /Telegrafi/

Exit mobile version