Një muaj pas protestës së specializantëve para Ministrisë së Shëndetësisë, askush nga autoritetet shëndetësore nuk i ftoi mjekët e rinj në takim. Specializantët ankohen se Ministria nuk ka vesh për shqetësimet e tyre dhe se ministri Todorov sjell zgjidhje të pjesshme. Ata kërkojnë të zgjidhet statusi i të gjithë specializantëve, të marrin rrogë, të jenë të siguruar dhe të ndërpritet regjistrimi i provimeve dhe transmetimi i tyre direkt në ueb faqen e Ministrisë.
“Aktiviteti i tij i fundit është programi i bashkëfinancimit i specializantëve privat, program që duhet të zgjidhë deficitin e personelit me një pjesë të specializantëve privat. Kemi sërish ri-shtresim të specializantëve privat dhe diskriminim, nuk jemi kundër punësimit të specializantëve privat, por jemi kundër zgjidhjeve të pjesshme, sepse me këtë program do të punësohen 100 specializantë, ndërsa 500 do të mbesin pa paga”, tha Biljana Dodeva- specializante, njofton Alsat-M.
Ministri i Shëndetësisë ka theksuar se është jokorrekte ai të fajësohet edhe pse përpiqet ta zgjidhë problemin me programin e bashkëfinancimit përmes të cilit shumica e specializantëve privat do të marrin një rrogë mesatare të Maqedonisë dhe do tu paguhet një pjesë e bursës.
“Nuk mundet të përgjigjet ai që angazhohet ta zgjidh problemin, që dikush tjetër e ka bërë. Tani unë kam një ndjenjë të tillë se dikush ka bërë më parë problem, dhe kjo është se ka specializantë privat, ajo nuk ekziston askund, përveç këtu, të cilët paguajnë para të majme për tu edukuar dhe të punojnë”, tha Nikolla Todorov- Ministër i Shëndetësisë.
Specializantët thonë se nuk do të ndalen këtu dhe do të vazhdojnë të luftojnë për kërkesat e tyre. Ata thonë se për problemet e tyre i informojnë edhe institucionet ndërkombëtare nga fusha e shëndetësisë.