Kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas Todor Petrov këmbëngul se Kryqi në Butel do të ndërtohet. Petrov në një deklaratë për Alsat-M thotë se vendimi për vendosjen e kryqit është legjitim, madje ka fajësuar MPB-në se nuk e ka mbrojtur vendin ku duhet të ndërtohet ky simbol fetar dhe ka lejuar që themelet e ndërtimit të shkatërrohen. Megjithatë Todorov thotë se kryqi nuk është as simbol anti-shqiptar e as anti-islam, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Kryqi nuk është provokim anti shqiptar apo anti islam, por simbol i paqes dhe dashurisë kundrejt urrejtjes dhe dhunës. Besoj se reagimi kundër kryqit nuk ishte mbarëshqiptar, për arsye se shqiptarët sikurse edhe maqedonasit janë edhe ortodoksë, katolikë e myslimanë”, tha Todor Petrov, kryetar i Kongresit Botëror Maqedonas.
Ndërkaq koordinatori i Këshillit kordinues të BDI-së kundër Kryqit, Izet Mexhiti, konfirmoi se nuk ka lëvizje nga deklarata e tij e dhënë para një muaji, se në Butel duhet të ndërtohet simbol i cili reflekton shumë-etnicitetin e Maqedonisë. Nga ana tjetër nismëtari i kryqit, ka komentuar edhe deklaratën e tij për vendosjen e përmendores së shkrimtarit shqiptar, Fan Noli.
“Nisma për ndërtimin e përmendores së Fan Nolit, shumë shpejtë do të procesohet në organet e brendshme me gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Kjo është edhe një dëshmi më shumë se Kongresi Botëror Maqedonas nuk është organizatë kundër shqiptarëve. Nisma për ndërtimin e përmendores së Nolit është që të vendoset në kufi mes komunave Çair dhe Butel, si shenjë e dorës së zgjatur për bashkëjetesë në mes dy komunave, por që nuk do të thotë se nuk mund të ketë marrëveshje për ndryshimin e lokacionit”, deklaroi Todor Petrov, kryetar i Kongresit Botëror Maqedonas.
Vendosja e gurthemelit të Kryqit 56 metërsh në Butel të Shkupit shkaktoi tensione kohë më parë. Pas protestave e kundërprotestave procesi ka mbetur pezull, nuk dihet ende se kur do të rinisin punët ndërtimore të Kryqit. Nga ana tjetër Petrov e ka konsideruar të mundur edhe ndërtimin e një kishe ortodokse shqiptare në Ohër, me kushtimin që Kisha Ortodokse e Shqipërisë në marrëveshje me atë të Maqedonisë, të pranojë të ndërtohet një kishë ortodokse maqedonase në Tiranë si parim reciprociteti./Telegrafi/