Telegrafi

“To See if I’m Smiling” fiton në Dokufest

Në kategorinë për “Best Feature International Documentary”, çmimin e ka fituar regjisorja izraelite Tamar Yarom me filmin “To See If I’m Smiling”, përderisa në kategorinë “Best Short Film”, ka fituar filmi “2 Birds””, i regjisorit Runar Rynarsson.

Çmimin “Best National” e ka fituar regjisorja kosovare Blerta Zeqiri me filmin “OK”, film ky ku në rolin sekondar të tij paraqitet aktorja kosovare Arta Dobroshi, e cila së fundi u paraqit me filmin e saj “Heshtja e Lorna’s”, në festivalin e Cannes.

Çmimi “Best Ballkan”, ka shkuar për regjisorin boshnjak Namik Kambil, me filmin “Interrogation”, kurse çmimin “DokuKid” e ka fituar filmi polak “52 percent”.

Më e kënaqura e këtij festivali normalisht duhet të jetë regjisorja kosovare Shota Bukoshi e cila me filmin e saj dokumentar “Dy rrëfime dashurie” ka fituar dy çmime. Ajo ka fituar çmimin “Special Mention” dhe atë të “Publikut”.

Çmimi i fundit është mundësuar me anë të votave të publikut gjë që e ka mundësuar kompania e telefonisë mobile “IPKO”. Çmimi “Human Rights” kësaj radhe i ka takuar regjisorit gjerman Ben Kempass dhe filmit të tij “Upstream Battle”.

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, që u mbajt nga data 4 deri me 10 gusht është cilësuar shumë i suksesshëm jo vetëm nga organizatorët por edhe nga mysafirët e shumtë të tij. /Express/