Jovica Strashevski kundër Ivan Xholevit. Avokati i të akuzuarit në rastin TNT, Toni Trajkovski ka ngritur padi penale kundër kryetarit të Gjykatës penale në Shkup. Sipas avokatit Strashevski, Xholev duhet të përgjigjet për tre vepra penale: keqpërdorim i pozitës zyrtare, punë e pandërgjegjshme në shërbim dhe për mos denoncimin e përgatitjes së veprës penale. Paditë i ka adresuar në MPB dhe në Prokurori, pasi Gjykata penale nuk e ka pensionuar gjykatësen porot e cila ishte pjesë e përbërjes gjyqësore në procesin për rrënimin e kompleksit “Kosmos” edhe pse i kishte skaduar mandati.
“Ai edhe pse e ka ditur se gjykatësja porot ka mandat të skaduar dhe se sipas ligjit nuk guxon të jetë pjesë e gjykimeve për shkak të mandatit të skaduar, i njëjti e ka caktuar të marrë pjesë në dy gjykime”, tha Jovica Strashevski, avokat.
Nga Gjykata penale sot askush nuk e komentoi këtë veprim të avokatit. Ndryshe, Këshilli gjyqësor nuk mori kurrfarë vendimi për gjykatësen por ajo vetë dha dorëheqje. Me këtë, procesi i gjykimit për rastin TNT u kthye nga fillimi, pikërisht për shkak të ndryshimit të përbërjes së gjykatësve që gjykojnë lëndën. Avokatët dhe të akuzuarit tani duhet të vendosin nëse gjykimi që zgjati dy vjet, do të fillojë nga e para. Organizata joqeveritare “Të gjithë për gjykim të drejtë” e cila bën mbikëqyrjen e gjykimeve, pret që lënda të kthehet në rigjykim.
“Një nga motivet për shpalosjen e serishme të provave do ishte që gjykatësi të njihet me provat, drejtpërdrejtë, në procedurë kundërthënëse publike, në mënyrë që pjesëmarrësit, më konkretisht mbrojtja, do siguroheshin se do kenë gjykim të drejtë dhe se do i kenë të gjitha mundësitë për shpalosjen e provave të tyre”, pohoi Darko Avramovski koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
Gjykimi për rrënimin e kompleksit Kosmos filloi më 24 janar të vitit 2018. Statistika e koalicionit për “gjykim të drejtë” tregon se nga 56 seanca të caktuara, 24 ishin anuluar, në pjesën më të madhe me kërkesë të avokatëve mbrojtës./Alsat/
https://www.youtube.com/watch?v=jXavumecECk&feature=emb_title