Provimit të Jurisprudencës këtë vit do t’i nënshtrohen edhe serbët e Kosovës.
Kështu është vendosur të mërkurën, pas një takimi që është zhvilluar larg mediave në mes të ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kryetarit të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, Fejzullah Hasanit, Ambasadës amerikane dhe përfaqësuesve të zyrës së Edita Tahirit.
Aty është diskutuar për mënyrën e integrimit të serbëve të Veriut në gjyqësorin e vendit, ku është kërkuar e shqyrtuar mundësia që ata të mos i nënshtrohen fare provimit të jurisprudencës.
Për këtë, Kohavisioni i është drejtuar me pyetje edhe Ministrisë së Drejtësisë.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, zyrtarët e këtij dikasteri e kanë mohuar një diskutim të tillë, duke thënë se ministrja Hoxha ka folur me pjesëmarrësit vetëm për bashkëpunimin dhe mënyrën e organizimit të provimit të jurisprudencës, i cili do të mbahet në shtator të këtij viti.
Mirëpo, krejt detaje të tjera jep kryetari i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Fejzullah Hasani.
Sipas tij, takimi ka pasur për temë integrimin e punëtorëve gjyqësorë të strukturave paralele në veri, të cilët punojnë me diploma serbe në Kosovë.
Këtij testi do t’i nënshtrohen gjithsej 8 serb. Dhe, sipas Hasanit, provimi i Jurisprudencës do t’i ketë disa ndryshime pavarësisht se do të mbahet në të njëjtën ditë me kandidatët tjerë kosovarë.