Kampioni aktual i Anglisë është Chelsea dhe kjo skuadër nuk do të ketë mundësinë e mbrojtjes së titullit, pasi tani kanë mbetur mbrapa në tabelë.
Por Chelsea pritet ta thotë fjalën e fundit se kujt dëshiron t’ia ‘dhurojë’ titullin këtë edicion pasi do t’i luajë dy ndeshje ndaj rivalëve për titull Tottenham Hotspurs dhe Leicester City.
Pikërisht javën e ardhshme në ‘Stmaford Bridge’ gjithçka pritet të merret vesh rreth fituesit të titullit, pasi Chelsea do ta presë rivalin lokal Tottenham Hotspurs.
Por edhe pse dyja skuadrat janë nga një qytet, Chelsea do të mundohet me mish dhe me shpirt t’i prishë punë rreth titullit ‘kushërinjve’ të tyre nga Londra.
Ka qenë mesfushori ofensivë, Eden Hazard që ka konfirmuar një gjë të tillë, duke thënë se do të tentojnë me çdo mënyrë t’i mposhtin ata.
“Ne lojtarët nuk duam, tifozët jo por as klubi nuk dëshiron që Tottenham të shpallet kampione e Anglisë”.
“Do të luajmë ndaj tyre javën e ardhshme dhe nëse fitojmë do të ishte fantastike. Do të tentojmë të arrijmë një fitore për t’i prishur punë atyre për titull”, deklaroi Hazard.
Një humbje e Tottenhemit ndaj Chelseat dhe një fitore eventuale e Leicesterit në ‘Old Traford’, ndaj Manchester United do t’i shpallte ‘dhelprat’ kampionë të Anglisë./Telegrafi/