Site icon Telegrafi

Titulli i fituar i La Ligës shënon një rekord historik për presidentin Florentino Perez

Real Madridi ka siguruar sot (e shtunë) matematikisht titullin kampion në elitën e futbollit spanjoll, titull ky që ishte i 36-ti në historinë e klubit.

‘Los Blancos’ bënë detyrën e tyre duke fituar me rezultat të pastër 3-0 në ‘Santiago Bernabeu’ ndaj Cadizit, me golat e shënuar nga Brahim Diaz, Jude Bellingham dhe Joselu Mato.

Barcelona në anën tjetër dështoi që të fitojë ndaj fqinjëve Gironës duke humbur me rezultat të thellë 4-2, duke ia mundësuar Real Madridit që ta festojë që sonte titullin kampion, ndonëse kanë mbetur edhe katër xhiro deri në përfundim të kampionatit.

Sidoqoftë, ky titull i fituar para së gjithash kishte një rëndësi mjaft të madhe për presidentin e klubit, Florentino Perez, i cili ka thyer tashmë një rekord historik.

Lexo po ashtu Real Madrid, kampion i La Ligas për herë të 36-të në historinë e klubit

Perez është bërë presidenti me më së shumti tituj të fituar në histori të klubit (34 tituj të fituar) duke tejkaluar kështu Santiago Bernabeun.

Në mesin e trofeve të fituar janë: 7 tituj të La Ligas, 3 tituj të Kupës së Mbretit, 6 tituj të Ligës së Kampionëve, 7 tituj të Superkupës së Spanjës, 5 tituj të Kupës së Botës për Klube, 5 tituj të Superkupës së Evropës dhe Intercontinental Cup.

Megjithatë, Perez dhe Real Madridi do ta kenë mundësinë ta shtojnë edhe një trofe në koleksionin e tyre të pasur, në rast se shpallen fitues të edicionit të sivjetëm të Ligës së Kampionëve.

Për të arritur në finalen e ‘Wembley’, Real Madridi duhet të mposhtë Bayern Munichun në ndeshjen që do të zhvillohet të mërkurën në ‘Santiago Bernabeu’./Telegrafi/

Exit mobile version