Sipas këtyre të dhënave, ka qenë ora 10:30 e paradites së të martës kur magazinierja e provave pranë kësaj Gjykate është alarmuar për mungesën e parave në portofolin e një të dënuari, të cilit i ishin sekuestruar në momentin e arrestimit. Nuk bëhet i ditur identiteti i të dënuarit që i janë vjedhur paratë.
Mësohet se skandali që krijon një precedentë të rrezikshëm ka plasur kur njëri nga familjarët e këtij të dënuari, është paraqitur në kryesekretarin e kësaj gjykate duke kërkuar paratë që kishte vendosur Gjykata t’i kthehen familjes së të dënuarit.
Pas kësaj kërkese, kryesekretarja ka njoftuar magazinieren e Gjykatës së Krimeve të Rënda duke i kërkuar t’i sjell paratë që ndodheshin në kasafortën e zyrës së ruajtjes së provave të këtij institucioni. Me të hapur kasafortën, magazinierja ka gjetur portofolin bosh, duke njoftuar kryesekretarin, kancelarin e kësaj Gjykate dhe kryetaren e komanduar gjyqtaren Etleva Deda.
Kjo e fundit, e ndodhur në këto kushte, ka njoftuar efektivët e policisë dhe prokurorisë, duke bërë edhe kallëzim penal për vjedhje. /Shekulli/Telegrafi/