Site icon Telegrafi

Tiranë: Presidenti Meta padit ministren e Drejtësisë për shkelje të Kushtetutës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, denoncoi sot zyrtarisht në prokurorinë e posaçme anti-korrupsion ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për shkelje të Kushtetutës, që sipas tij, ajo ka bërë me procedurat e zgjedhjes së një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Meta e dorëzoi personalisht denoncimin në zyrat e SPAK-ut, nga ku deklaroi se detyra kryesore e Presidentit të Republikës është mbrojtja e Kushtetutës dhe e integritetit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk ka ndodhur ngjarje më e rëndë në historinë e shtetit tonë se sa ky akt mafioz, ku së fundmi në bazë të provave zyrtare, rezulton e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe celula e strukturuar në krye të Ministrisë së Drejtësisë, që përmes shkeljes së Kushtetutës, dhunimit të shumë ligjeve dhe përmes falsifikimeve të mirëprovuara, ka tentuar një grusht shteti duke rrëmbyer haptazi, në mënyrë mafioze, një kompetencë që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia jep vetëm Presidentit të Republikës, me qëllim shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese, nga garante e të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, në një polici anti-kushtetuese për të dhunuar të drejtat e qytetarëve shqiptarë në të ardhmen”, tha Meta, transmeton Zëri i Amerikës.

Krahas ministres së drejtësisë, kallëzimi i Meta përfshin edhe dy zyrtarë të lartë në atë ministri.

Meta ka paditur për të njëjtën çështje edhe drejtuesin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, duke i quajtur si “veprimtari kriminale” dhe “grusht shteti” procedurat e ndjekura nga KED-i dhe institucione të tjera për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese me anëtarë të rinj.

Por, sipas tij, këto nuk janë shkeljet e vetme të Kushtetutës nga ana e shumicës socialiste.

“Nuk ka asnjë vend në Evropë që të ketë ngelur një minutë pa Gjykatë të Lartë. Nuk ka ndodhur asgjëkundi që të zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm me 69 vota, kur Kushtetuta e thotë qartë me 84 vota. Nuk ka ndodhur asgjëkundi që të bëhen zgjedhje vendore në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim me ligjet e vendit, zgjedhje njëpartiake, të cilat i neveriti vetë Kongresi i Autoriteteve Vendore, duke e abandonuar vëzhgimin e tyre si zgjedhje jashtë standardeve. Nuk ka ndodhur askund një grusht i tillë shteti për të kapur Gjykatën Kushtetuese”, tha Meta.

Përfaqësues të shumicës socialiste i kanë hedhur poshtë si të pavërteta akuzat e presidentit Meta për grusht shteti, duke i quajtur ato si përpjekje të tij për të penguar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Exit mobile version