Krimi në familje ka tronditur kryeqytetin mëngjesin e kësaj të enjte ku një 59-vjeçar ka ekzekutuar bashkëjetuesen dhe motrën e saj.
Autori i identifikuar si Përparim Ademi ka ndërmarrë aktin e rëndë në prani të fëmijëve të mitur të bashkëjetueses dhe disa orë më pas është vetë-dorëzuar në polici ku ka deklaruar se ekzekutimin e ka kryer nga xhelozia.
Banorët e rrugës Bajram Bushica njoftuan policinë për të shtëna me armë rreth orës 10 e 30 minuta.
Kur mbërritën në zonën e njohur si “Astiri”, oficerët e policisë konstatuan një ngjarje të rëndë.
Pesëdhjetenëntëvjeçari i identifikuar si Përparim Ademi kishte ekzekutuar bashkëjetuesen e tij dhe motrën e saj, të dyja rreth 40 vjeçe, pas një konflikti fillimisht verbal e më pas me përdorimin e armës.
Përparim Ademi i cili më herët ka mbajtur edhe mbiemrin Tela, aktin e rëndë e ka kryer në prezencën e dy fëmijëve të mitur të bashkëjetueses së tij Zhaneta Metani. Pas ekzekutimit të dyfisht autori ka zgjedhur të largohet në këmbë nga vendngjarja për tu dorëzuar vetëm 2 orë më vonë në policinë e Tiranës.
Motiv i ngjarjes së rëndë dyshohet se është bërë vendimi i bashkëjetueses së 59-vjeçarit Ademi për të mos vijuar lidhjen e tyre.
Këtë dyshim e shprehu edhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Reban Jaupi për Euronews Albania.
Uniformat blu kanë bërë të mundur sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov që 59 vjeçari e la në banesën ku u regjistrua ngjarja e rëndë.
Vetë autori në deklarimin paraprak para oficerëve është shprehur se vrasjen e kreu për xhelozi ndërsa lidhur me krimin në pyetje në praninë e psikologëve pritet të merren edhe fëmijët e mitur të cilët kanë qenë present në momentin e ekzekutimit të dyfishtë që tronditi Tiranën.