Telegrafi

Tiranasen dyvjeçare e kafshon ujku në Kopshtin Zoologjik, s’i jepet ndihma e parë

Një vajzë dyvjeçare është sulmuar nga ujku ndërsa ndodhej në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, e shoqëruar nga babai i saj.

Sipas Panoramës, ngjarja ka ndodhur paraditen e së shtunës, ku vajza ka marrë plagë në dorën e djathtë ndërsa po i zgjaste kafshës një biskotë.

Babai i vajzës tregon se jo vetëm që personeli i Kopshtit Zoologjik nuk i ofroi ndihmë e shpejtë, por edhe kur e ka dërguar në Urgjencë, i është dashur të blejë vetë vaksinën.

Për fat të mirë, përveç tronditjes psikologjike, pas mjekimit vajza ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë kanë reaguar zyrtarët e Agjencisë së Qarqeve, të cilët thonë se ngjarja nuk ka qenë serioze, por vetëm një shqetësim i prindit të vajzës.

Sa i takon mungesës së ndihmës së parë, pretendohet se nuk është kërkuar një gjë e tillë edhe pse kjo duhet ofruar pa u kërkuar. Në fund sqarohet gjithashtu se “ujku është i vaksinuar dhe nuk ka asnjë rrezik edhe nëse ndodh kafshimi” dhe shtohet se po kryhen verifikime për këtë ngjarje.