Festa e pritjes së Vitit të Ri në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ka kulmuar në orën 24:00 të mbrëmjes së 31 dhjetorit, ku mijëra qytetarë pritën Vitin e Ri.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj së bashku me artistë dhe qytetarë kanë numëruar mbrapsht për të pritur Vitin e Ri 2023. Pas numrit mbrapsht një spektakël me fishekzjarre ka ndriçuar kryeqytetin.
Të shumtë kanë qenë ata të cilët e kanë pritur ardhjen e Vitit të Ri në sheshin “ Skënderbej” në Tiranë, por nuk ka munguar atmosfera festive edhe në rrethe të tjera të vendit, ku qytetarët dhe të afërmit e tyre i kanë “uruar mirëseardhjen” 2023-it në qendrat e qyteteve.
Në Tiranë, festa ka nisur në mbrëmje me koncertin festiv të Vitit të Ri, ku kanë performuar këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare.
Pas orës 24, shumë prej atyre që kanë festuar në familje, i janë bashkuar ambienteve ku luhet muzikë “live” apo klubeve të natës, për të festuar me shoqërinë apo me personat e tyre të dashur.