Telegrafi

Tirana mbushë 91 vjeç

Megjithatë, duket se jo të gjitha ndryshimet konsiderohen pozitive për ata që e kanë njohur Tiranën prej dekadash të tëra. “Unë jam i moshuar dhe Tiranën e kam njohur në përmasat e një qyteti të thjeshtë. Ndërsa tani Tirana bashkë me rrethinat e saj shkon në një milion banorë. Është një qendër politike, ekonomie dhe kulturore e rëndësishme për të gjithë vendin. Është një metropol i vërtetë, por ndër vite ndryshimet që ka pësuar janë edhe negative, si zhdukja e gjelbërimit për shembull. Tiranë ka një betonizim shumë të madh dhe janë zhdukur të gjitha ambientet çlodhëse që kishte dikur si lulishtet, këndet
sportive për fëmijë e të rinj”, tha për Gazetën Shqiptare Seit Tafaj, anëtar i Kryesisë së shoqatës Tirana.

Ai shtoi se ky fakt përbën një mangësi shumë të madhe për Tiranën, pasi një metropol nuk matet vetëm nga pallatet shumëkatëshe. Ndonëse statusin e kryeqytetit Tirana e ka marrë më 1920, qyteti është themeluar në vitin 1614 nga Sulejman Pashë Mulleti.

“Fillimisht ka pasur vetëm një xhami, aty ku sot është ‘Ushtari i Panjohur’, një han, një pus dhe një furrë,” përshkruan Tafaj, ndërsa shton se “Tirana ka një pozicion shumë të mirë dhe të bukur me kufizimin e Dajtit mbi kokë dhe zonat e ulëta si Mulleti, Farka
e Kashari.

Një tjetër problem që vëren Tafaj është humbja e identitetit të qytetit, duke nisur që nga qendra, një nga pikat kyçe të Tiranës. “Qendra e Tiranës duhet të ketë një perspektivë. Aty ka muaj të tërë që punohet, por asnjë qytetar nuk e di se çfarë do të bëhet realisht. Duhet që qendra e Tiranës të ruajë vlerat e saj historike dhe kulturore”, tha Tafaj. /Telegrafi/