Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se nga tash e tutje një rrugë në Tiranë do të mbajë emrin e veprimtarit të njohur shqiptar Remzi Hoxha.
“Ceremonia e djeshme për emërtimin e një rruge në Tiranë me emrin Remzi Hoxha, sipërmarrësi i njohur shqiptar, i cili u zhduk nga SHIK-u në vitin 1995. Autorët e këtij krimi shtetëror, nuk dolën kurrë para drejtësisë, por qyteti nuk harron, duke përjetësuar figurën e tij”, ka shkruar Veliaj në Facebook.
Këtë vendim të Bashkisë së Tiranës e ka mirëpritur djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha.
Ai ka falënderuar kryetarin Veliaj për këtë vendim që një rrugë në kryeqytetin e Shqipërisë të mbajë emrin e babit të tij.
“Dua të shpreh falënderimet e mia më të thella për përkushtimin dhe mundin tuaj në emërtimin e rrugës në Tiranë pas babait tim, Remzi Hoxha. Ky gjest është një nder i madh për familjen time dhe reflekton një respekt të thellë për historinë dhe vlerat që përfaqëson ajo”, ka shkruar Hoxha.
Hoxha ka theksuar se me këtë emërtim, jo vetëm që nderoni jetën dhe veprën e babait tim, por gjithashtu të gjithë atyre që kanë luftuar përgjatë dekadave dhe shekujve për lirinë, paqen dhe dinjitetin e shqiptarëve në gjitha trojet.
“Kjo mirënjohje nga ju vjen si një dëshmi e fortë e përkushtimit tuaj ndaj ruajtjes së kujtesës historike dhe vlerave kombëtare, duke na bërë të ndihemi edhe më krenarë për origjinën dhe rrënjët tona. Është gjithashtu një mesazh inkurajues për brezat e ardhshëm që të vazhdojnë të mbrojnë dhe të nderojnë këto vlera. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!”, ka shkruar Ardian Hoxha. /Telegrafi/