Ndeshja kryesore e javës së 25 dhe ajo që ngriti siparin e Kategorisë Superiore dhuroi një barazim emocionues 2-2 mes Tiranës dhe Skënderbeut, një ndalesë që gjithsesi i jep skuadrës korçare kryesimin e përkohshëm.
Sfida e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” prishi ekuilibrat që në minutën e 4 kur në një goditje këndi, Edeh shënoi me kokë pranë vijës fatale për Tiranën.
Barazimi erdhi pas një faulli në zonën e bardhebluve që solli penalltinë e konvertuar nga Salihi, por nuk ishte e thënë që skuadrat të shkonin në pushim kështu.
Një supergol i Hoxhallarit me një goditje dënimi ngriti peshë tifozët kryeqytetas dhe i dha sërish epërsinë Tiranës.
Barazimi final erdhi pas një ngulmimi të Latifit që u ndal nga shtylla por favorizoi Salihin në tentativën e dytë në zonë.
Të shtunën zbresin në fushë dy pretendentët e tjerë, Korabi pret Kukësin dhe Partizani luan ndaj Flamurtarit.