Timothy Less, drejtor i Nova Europa, një konsulencë e riskut politk, si edhe ish-diplomat britanik në Ballkan, përsëri ka dalë me tezën e tij se zgjidhja më e qëndrueshme në Ballkan është krijimi i “Shqipërisë së Madhe”, “Serbisë së Madhe” dhe “Kroacisë së Madhe”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Less propozon që të ndryshohen kufijtë e Ballkanit, ndërkaq rolin kryesor në këtë drejtim duhet ta ketë SHBA-ja. Ai konsideron se serbët dhe kroatët në Bosnjë punojnë për të sfiduar Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shtonë se shqiptarët në Maqedoni bëjnë thirrje për federalizim të vendit. Less përmend edhe serbët e Kosovës që insistojnë në enklava vetëqeverisëse, duke mos lënë anash edhe shqiptarët e Preshevës për një entitet vetëqeverisës.
Ish-diplomati Less propozon që Washingtoni të mbështetë ndarjen e shteteve shumëetnike ku minoritetet kërkojnë diçka më tepër se që e kanë. Kështu, sipas Less, kroatët në Bosnjë do të bashkoheshin me Kroacinë, kurse serbët me Serbinë; Veriu i Kosovës do të bashkohej me Serbinë, ndërkaq Lugina e Preshevës, Kosova e mbetur, një pjesë e Maqedonisë do të duhej t’i bashkoheshin Shqipërisë. Dhe, Mali i Zi duhet të mbetet shtet i pavarur, ose të bashkohet me Serbinë, duke e humbur një pjesë territori shqiptar.
Timothy Less e mbështet idenë e tij në vegimin e Woodrow Wilson-it për vetëvendosje të popujve./Telegrafi/