Telegrafi

Time Kadrijaj jep detaje rreth intervistimit nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale

Ka përfunduar intervistimi i ish-deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj nga prokurorët e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Prishtinë.

Kadrijaj për Telegrafin konfirmoi se është intervistuar në cilësinë e dëshmitares.

“Sot ka ndodhur intervistimi, prokurorët kanë qenë korrekt ndaj meje. Atyre iu ka interesuar puna ime si mjeke në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në cilat zona kam qenë në kohë të luftës”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka thënë se ka dëshmuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

Ish-deputetja e AAK-së, më herët ka kritikuar deputetët të cilët kanë votuar pro krijimit të Gjykatës Speciale.

Lexo po ashtu Time Kadrijaj intervistohet sot nga Gjykata Speciale

Ndryshe, nga Gjykata Speciale deri më tash kanë ardhur mbi 70 ftesa për intervistim. I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar është Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit. Pas Mustafës pasuan edhe ftesat e reja nga Specialja. U ftua ish-udhëheqësi i Gjykatës së UÇK-së Sokol Dobruna, ish-ushtari i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut Safet Syla, ish-eprori i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut Sabahajdin Cena, Nazif Mehmeti, i njohur si komandant “Dini”, Remzi Shala, ish-komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, i njohur me pseudonimin “Molla e Kuqe”, Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së, Mendim Daka, njëri prej ish- udhëheqësve të Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Kuçi, ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja, ish-zëvendëskomandanti i “Brigadës 128” i Zonës Operative të Pashtrikut, Avdi Ibrahimi, ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së./Telegrafi/