Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj është e ftuara e radhës nga Gjykata Speciale.
Lajmin e ka konfirmuar vetë deputetja për Telegrafin.
“Jam kontaktuar nga Gjykata Speciale, ftesën do ta marrë këtyre ditëve”, tha shkurtimisht ajo.
Theksojmë se Gjykata Speciale ka intervistuar edhe kryeministrin në dorëheqje njëherësh kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Nga Gjykata Speciale deri më tash kanë ardhur mbi 70 ftesa për intervistim. I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar është Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit.
Pas Mustafës pasuan edhe ftesat e reja nga Specialja.
U ftua ish-udhëheqësi i Gjykatës së UÇK-së Sokol Dobruna, ish-ushtari i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut Safet Syla, ish-eprori i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut Sabahajdin Cena, Nazif Mehmeti, i njohur si komandant “Dini”, Remzi Shala, ish-komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, i njohur me pseudonimin “Molla e Kuqe”, Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së, Mendim Daka, njëri prej ish- udhëheqësve të Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Kuçi, ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja, ish-zëvendëskomandanti i “Brigadës 128” i Zonës Operative të Pashtrikut, Avdi Ibrahimi, ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së. /Telegrafi/