Maqedonia është në rrugë të drejtë për të qenë shembull i suksesshëm për rajonin, ndërsa SHBA-ja do të vazhdojë të ketë rol pozitiv për stabilitetin dhe progresin e rajonit dhe të kërkojë mënyra t’i ndihmojnë, e porositi në takimin e djeshëm në Washington sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
Tilerson e mbështeti agjendën reformuese në Maqedoni, duke i bërë thirrje Qeverisë të vazhdojë me zbatimin e saj, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Takimi i fundit i shefit të diplomacisë së Maqedonisë me sekretarin amerikan të shtetit u mbajt në vitin 2008, kur ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski u takua me ish-sekretaren amerikane të shtetit, Condoleezza Rice.
Dimitrov u përqendrua edhe në gjendjet aktuale politike në Maqedoni dhe rajon, ndërsa gjithashtu e njoftoi Tilersonin edhe me aktualitetet në procesin e tejkalimit të dallimeve rreth emrit me Greqinë.
Duke informuar për reformat në Maqedoni, Dimitrov theksoi se vendi dëshiron të ndërtojë institucione të fuqishme dhe demokratike, ta përforcojë qeverisjen e së drejtës dhe ta bëjë Maqedoninë anëtare të dëshiruar fuqiplote në bashkësinë euroatlantike”.
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë realizoi takim edhe me ekspertët për rajonin Daniel Server, Eduard Josef dhe Mike Halcel, si dhe me Daimon Willson prej Këshillit Atlantik të SHBA-së, me të cilët këmbyen mendime për aktualitetet dhe perspektivat në rajon.