Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, u bëri thirrje vendeve të koalicionit ndërkombëtar, që luftojnë grupin militant Shteti Islamik të rrisin kontributet e tyre.
Tillerson i bëri këto komente në Uashington, në një takim të koalicionit prej 68 anëtarësh.
Grupi ekstremist ka pushtuar pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014, por ka humbur territor qysh në vitin 2016.
“SHBA do ta bëjë pjesën e saj, por rrethanat në terren kërkojnë më shumë nga të gjithë ju. Kërkoj nga të gjitha vendet të shohin se si mund t’i mbështesin këto përpjekje jetike për stabilizim”, tha Tillerson.
Ai e cilësoi mposhtjen e Shtetit Islamik si qëllim “numër një” të SHBA-së në Lindjen e Mesme.