Site icon Telegrafi

Tigri iu shpall “luftë” Dardanëve: Ky emër është i Plisave, nuk guxoni ta përdorni

Presidenti i Federatës së futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri dhe Agron Selmi nga AS-ART & Event, mbajtën një takim me përfaqësuesit e grupeve të tifozerive me qëllim që edhe ky segment të jetë funksional dhe në përkrahje të përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen kundër Haitit që do të zhvillohet më 5 mars në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Pas takimit është arritur marrëveshja që grupi i tifozëve të përfaqësues së Kosovës, Dardanët.

Mirëpo, nuk ka shkuar shumë kohë dhe ka reaguar kryetari i Plisave i cili njihet edhe me nofkën “Tigri”, i cili thotë se ky emër është përdorur nga Plisat shumë kohë më parë për ta përfaqësuar kombëtaren e Shqipërisë.

“Emri Dardanët është bërë prej Plisave. Plisat e kanë bërë transparentin, Plisat kanë bërë maica, Plisat kanë bërë bluza e xhaketa, kurse ato të ashtuquajtura grupe që paskan marrë vendim për këtë emër, po iu them që tani se këtë emër nuk mund ta mbani. Sepse, nuk keni bërë asgjë për këtë emër”, shkruhet në postimin autentik të kryetarit të Plisave, Albert Kastratit, në profilin e tij në Facebook.

Ky i fundit morri përkrahje edhe nga bashkëthemeluesi i tifozëve të vërtetë ‘Dardanët’, Gazmend Dalipi.

“Emri Dardanët është krijuar nga Plisat për ta përkrahur Kombëtaren Kuq e Zi, ku edhe asnjë ndeshje të vetme nuk ia kemi kthyer shpinën po me këtë emër. Kemi mbajtur takime me tifo-grupet tjera për të udhëtuar së bashku, por me kalimin e kohës të gjitha grupet tjera janë larguar prej këtij emri përveç Plisave, Arpaxhikëve dhe Shvercerave! Prandaj, siç është emri Plisat i shenjtë, poashtu edhe emri Dardanët është i shenjtë dhe këtë të drejtë e kanë vetëm Plisat me shfrytëzu. Prandaj, çfarëdo vendimi që del prej Plisave, unë si themelues i tifo-grupit ‘Dardanët’ qëndroj pas Plisave (qoftë edhe i gabuar), sepse jam Plis”, ka thënë, Gazmend Dalipi.

Plisat janë deklaruar se nuk do ta përkrahin përfaqësuesen e Kosovës përballë Haitit me 5 mars, pasi që ata duan ta përkrahin vetëm një Kombëtare Mbarëshqiptare. /Telegrafi/

Exit mobile version