Telegrafi

Tifozi i Tottenhamit që hodhi lëkurën e bananes drejt Aubameyangut pezullohet për katër vite nga futbolli

Pierre-Emerick Aubameyang (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Tifozi i Tottenham Hotspur, i cili e hodhi një lëkurë bananeje drejt sulmuesit të Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang, është dënuar me gjobë dhe i është ndaluar hyrja në stadiume futbolli për katër vitet e ardhshme, pasi është konsideruar se ka elemente raciste në veprimin e tij.

Averof Panteli ka pranuar se e ka hedhur lëkurën e bananes në fushë, pas festës së golit nga Aubameyang, mirëpo i ka hedhur poshtë pretendimet se incidenti kishte indikacion racist, ndërsa avokati i 57-vjeçarit ka thënë se e kishte hedhur atë, sepse ishte gjëja më e afërt që ka pasur.

Mirëpo, autoritetet e futbollit vendosën se kishte elemente raciste, ashtu që tifozi të martën është dënuar me 500 funte (556 euro) nga gjykata në Highbury Corner.

Lexo po ashtu Lajmet për Aubameyang

“Kemi gjetur se ishte një gjest i qëllimshëm për të hedhur një banane pas një goli të shënuar nga një lojtar me ngjyrë”, ka thënë gjykatësi Mervyn Mandell.

Duke iu referuar vendimit për t’ia ndaluar hyrjen në stadiume për katër vite, gjykatësi ka thënë: “Elementi racist ishte aty”.

Panteli, i cili jeton në Norwich, është deklaruar fajtor, ndërsa atë e kishin kapur kamerat e sigurimit duke e hedhur lëkurën e bananes në momentin kur Aubameyang shënoi gol në fitoren prej 4-2 të Arsenalit në derbin kundër Tottenhamit në Emirates më 2 dhjetor.

“Nuk ishte diçka raciste. Thjesht ndodhi. Nganjëherë bën diçka në jetë dhe pastaj thua: ‘Pse e bëra këtë?'”, ka thënë Panteli, i cili që nga mosha shtatëvjeçare i ndjek në stadiume ndeshjet e futbollit. /Telegrafi/