Telegrafi

Tifozi që goditi para katër vitesh Jack Grealishin është gjendur i vdekur

Paul Mitchell është një njeri që ishte krejtësisht i panjohur për publikun e gjerë deri në vitin 2019.

Megjithatë, që nga ai vit emri i tij është përmendur pothuajse në të gjitha mediat e ishullit.

Ai ishte huligani që në derbin e qytetit mes Birmingham City dhe Aston Villa, doli në fushë dhe goditi me grusht Jack Grealish, kapitenin e mysafirëve, nga pas shpine.

Më pas Mitchell u burgos për 14 javë për sulm fizik, u gjobit me 350 funte dhe u ndalua të ndiqte ndeshjet e futbollit në Mbretërinë e Bashkuar për 10 vitet e ardhshme. Qasja në St. Andrew iu ndalua atij përgjithmonë.

Lajmi u përhap sot se Mitchell u gjet i vdekur. Ishte vetëm 32 vjeç dhe la pas tre fëmijë.

Familja konfirmoi vdekjen. “Nuk do të jetë njësoj pa të,” tha nëna e tij. /Telegrafi/