Grupi i tifozëve rahovecianë, “Vreshtarët” me anë të një komunikate i kanë dhënë ultimatum KB Rahovecit që të përmirësojë atë që ata e quajnë “gabimin” e tyre dhe të mos lejojnë largimin e Valentin Spaqit nga klubi.
Valentin Spaqi u raportua në disa media se po largohet nga KB Rahoveci, pasi klubi nuk ka përmbushur kërkesën minimale të tij për qëndrim, ndonëse ende nuk ka konfirmim zyrtar nga KB Rahoveci për këtë gjë.
Vet Spaqi në një intervsitë për Telegrafin ka deklaruar se ai Rahovecin e ka si shtëpi të dytë, pa marrë parasysh se çka ndodh, teksa ka zbuluar prapaskenat e negociatave, ku ai ka pranuar se oferta për të ka qenë më e vogël se sezonin e kaluar, edhe pse tash do të kenë dy herë më shumë punë dhe përgjegjësi.
Deklarata e Spaqit se ai ka pasur gati formacionin për Superligë ku ka pasur edhe lojtarë rahovecianë, ka irrituar grupin “Vreshtarët” të cilët kanë kërkuar nga kryesia që sa më shpejt të ndërmarrin masa në takimin e radhës dhe të ri-fillojnë negociatat me Valentin Spaqin për të gjetur një marrëveshje.
Në të kundërtën tifozët kanë paralajmëruar bojkot dhe mos udhëtim në Suharekë në sfidat e klubi kur klubi do ta ketë më së shumti nevojë në duelet e vështira ndaj Prishtinës e Pejës.
Kujtojmë se në finalen e Ligës së Parë ku Rahoveci u shpall kampion ishin mbi tre mijë rahovecianë në Suharekë për të përkrahur ekipin.
Komunikata e Vreshtarëve:
Letër publike kryesisë së KB Rahovecit rreth çështjes së Valentin Spaqit
Grupi i tifozëve ultras “Vreshtarët” shprehin indinjatën e thellë dhe shqetësimin me raportimet e mediave për një largim të Valentin Spaqit për shkak të mos arritjes së një marrëveshje me trajnerin legjendar të klubit të basketbollit.
Ky shqetësim është rritur pas një interviste nga trajneri që e do i gjithë qyteti, jo vetëm ne tifozët, ku ai pohon mos marrëveshjet me klubin, e ku trajneri thotë se e ka pasur gati formacionin për vitin tjetër për vendin e pestë dhe të gjashtë, dhe se ka refuzuar oferta tjera shumë herë më të larta se KB Rahoveci, duke kaluar vitin e kaluar në borë e në shi me lojtarë të tjerë me pagesa minimale.
Grupi i tifozëve ultras “Vreshtarët” i bën thirrje kryesisë së klubit të KB Rahovecit që menjëherë të ndërmarrë masa për ri-fillimin e negociatave me trajnerin legjendar Valentin Spaqi. Nëse jo diçka tjetër, i kemi borxh si klub dhe qytet t’ia besojmë edhe një sezon, sepse ai udhëhoqi këtë ekip drejt suksesit historik, ai pranoi këtë sfidë të madhe që jo shumë trajnerë do ta pranonin.
Grupi i tifozëve ultras “Vreshtarët” i bën thirrje dhe i jep ultimatum kryesisë së klubit të KB Rahovecit, që në mbledhjen e tyre të radhës të revokojnë çfarë do vendimi për largim të Spaqit, e sjellje të trajnerit të ri, pasi tifozeria e do vetëm Valentin Spaqin për trajner dhe asnjë tjetër, së paku në sezonin e parë në Superligë.
Kërkojmë që këtë gabim amatoresk të një largimi të mundshëm të Spaqit, që do të dëmtonte atmosferën në klub, menjëherë të përmirësohet dhe që zyrtarët e klubit të gjejnë një marrëveshje të përshtatshme dhe konsensus me trajnerin Valentin Spaqi dhe klubit. Klubi ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ndonjë vendim, andaj në mbledhjen e radhës të organeve të klubit, përmirësoni situatën.
Në rast se kërkesa e tifozve “Vreshtarët” nuk do të përfillet nga kryesia e klubit, të cilët i falënderojmë për kontributin e madh, atëherë rrezikohet bojkotimi i klubit gjatë sezonit në Superligë.
Mos harroni se sezonin klubi do ta nisë në Suharekë sepse palestra nuk do të bëhet gati dhe pa tifozët ekipi do të jetë sikur pa një lojtar në sfidat ndaj Sigal Prishtinës e Pejës.
Tifozët ju përkrahën gjatë krejt sezonit ku do që keni shkuar me shpenzimet e tyre vetanake, andaj borxh e keni ndaj tifozëve dhe qytetit, të respektoni dëshirën për të mbetur Spaqi, dëshirë kjo që është në linjë me aspektin sportiv, sepse Tini jonë e meriton t’i jepet shans një sezon pas historisë që shkruam bashkë.
Me dashuri të madhe dhe për të mirën e klubit,
Grupi ultras “Vreshtarët” !