Telegrafi

Tifozët e zbrazin hidhërimin në Pogban: Largojeni atë, duhet të kesh respekt

(Foto: Getty Images/Guliver/Twitter)

Paul Pogba është përfshirë në një “grindje” me tifozët e Manchester Unitedit pas humbjes prej 2-0 nga Cardiff City në Old Trafford.

Djajtë e Kuq e mbyllën me humbje edicionin zhgënjyes në Ligën Premier nga skuadra e rënë nga liga, ndërkohë që kanë arritur të zënë vetëm vendin e shtatë në tabelë që dërgon në kualifikime për Ligën e Evropës.

Nga ana tjetër, rivali i qytetit, Manchester City, është shpallur kampion dhe nuk ka dyshim se tifozët janë të hidhëruar. Derisa Pogba i drejtohej tunelit për në zhveshtore, disa nga tifozët e kanë zbrazur hidhërimin kundrejt tij.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Paul Pogba

“Ole! Ole! Largojeni atë!” – është dëgjuar duke thënë një tifoz, teksa francezi ka qëndruar dhe i ka dëgjuar fjalët e tij, si dhe një tifozi tjetër që thoshte: “Duhet të kesh respekt”, por me fjalë të vrazhda.

Mesfushori i ka mbledhur duart në formë të një reagimi pëlqyes kundrejt tifozëve dhe pastaj e ka çuar dorën lart duke i përshëndetur ata dhe është larguar drejt tunelit.

E ardhmja e Pogbas është përfolur shumë, ndërkohë që Real Madridi është përmendur si destinacion shumë i mundshëm. /Telegrafi/