Telegrafi

Tifozët e Napolit të frikësuar nga ‘Mallkimi Drake’

(Foto: Twitter/Whistle FC/Marca)

Duke qenë mjaft paragjykues në futboll, tifozët e Napolit kanë frikë se mund të mos e fitojnë titullin e Serie A, pasi Drake është shfaqur me simbolet e klubit të tyre.

Fotografia në të cilën shfaqet reperi i veshur me xhaketën e sponsorit klasik Buitoni nga epoka e Diego Armando Maradonas, duket të jetë bërë gjatë provave ose gjatë xhirimeve.

Drake njihet si një tifoz i sporteve të ndryshme, mirëpo për një kohë të gjatë është lidhur me një ‘mallkim’ për skuadra apo individë.

‘Mallkimi i Drake’ është përfolur prej kohësh pasi sportistë dhe ekipe të ndryshme kanë humbur nëse kanadezi ka shfaqur mbështetje për ta.

Ka pasur edhe ‘meme’ që janë lidhur me mbështetjen e muzikantit dhe humbjen e skuadrave të caktuara. Po ashtu, ai ka humbur para të mëdha në baste në Formula 1, UFC e futboll.

Napoli është aktualisht lider në Serie A dhe është kualifikuar në të tetën e finales në Ligën e Kampionëve, andaj tifozët janë shqetësuar kur e kanë parë këtë imazh të reperit.

Napolitanët janë njerëzit më supersticiozë në Itali që është ndoshta vendi më supersticioz në Evropë. /Telegrafi/