Telegrafi

Tifozët e Liverpoolit duartrokitën për një minutës për Cristiano Ronaldon pas vdekjes tragjike të djalit të tij të sapolindur

Tifozët e Liverpoolit kanë mbajtur duartrokitje një minutëshe për Cristiano Ronaldon dhe familjen e tij pas vdekjes tragjike të djalit të tij të sapolindur.

Ronaldo dhe partnerja e tij Georgina Rodriguez njoftuan të hënën se djali i tyre binjak kishte vdekur gjatë lindjes, duke shtuar se lindja e motrës së fëmijës po u jepte “forcë” për të përballuar lajmin e rëndë.

“Me pikëllimin tonë më të thellë duhet të njoftojmë se djali ynë ka ndërruar jetë”.

“Është dhimbja më e madhe që mund të ndiejë çdo prind. Vetëm lindja e vajzës sonë na jep forcën për ta jetuar këtë moment me pak shpresë dhe lumturi”, thuhet në një deklaratë e Ronaldos në Instagram.

 

Në minutën e shtatë të ndeshjes, tifozët e Liverpool dhe Man United u ngritën në këmbë dhe së bashku mbajtën duartrokitje një minutëshe në shenjë respekti për legjendën e futbollit.

Tifozët e Liverpoolit kënduan më pas himnin e tyre të famshëm të klubit “You’ll Never Walk Alone”, duke i treguar Ronaldos që ai nuk do të jetë vetëm.

Ronaldo ka munguar në ndeshjen e sotme pas tragjedisë që i ndodhi. /Telegrafi/