Besnik Hasi gjendet përballë një situate mjaft të çuditshme.
Trajneri shqiptar është në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e klubit të Genk të cilët janë të gatshëm t’i besojnë atij drejtimin e skuadrës.
Por nga ana tjetër, tifozët kërkojnë që në stolin e ekipit të ulet një person tjetër dhe nuk e kanë Hasin mes preferencave të para të tyre.
Në një sondazh të kryer nga emisioni “Sports Caffee” në televizionin lokal TVL, ku i ftuar ishte edhe presidenti i klubit të Genk, Hasi ishte në vend të tretë mes preferencave të tifozëve, me 14% të votave, njëlloj si Philip Clemente.
Në vend të parë me 17% ishte Stin Vreven, tekniku aktual i NAC Breda, ndërsa Gert Verhejen ishte në vendin e dytë me 15% të votave.
I pyetur rreth këtij sondazhi, presidenti Peter Kronen nuk dha asnjë sinjal se kë kishte zgjedhur, por bëri të qartë se do të preferonte njerëz që njohin mirë klubin.
“Një ish-lojtar i klubit? Mendoj se po, sepse njohuria me ambientin dhe klubin është e rëndësishme. Por gjithsesi nuk është vendimtare”, tha ai. /360/