Site icon Telegrafi

Tifozët e “detyrojnë” të flas Ronaldon: Faleminderit për mbështetjen, shihemi sezonin e ardhshëm

Real Madrid ka organizuar një festë gjigante në kryeqytetin spanjoll me rastin e fitimit të titullit të 13 të Ligës së Kampionëve.

Një ndër protagonistët kryesor e kremtes ishte edhe Cristiano Ronaldo, i cili rrëmbeu mikrofonin dhe foli për të ardhmen.

Në fakt, portugezi kishte shkaktuar spekulime se do të largohet prej madrilenëve gjatë afatit kalimtar të verës duke thënë pas triumfit kundër Liverpoolit se “ishte kënaqësi të ishe pjesë e Realit”.

Tifozët këndonin emrin e tij dhe ‘e detyruan’ të fliste, një ditë pasi Cristiano hamendësoi largimin prej Los Blancos gjatë intervistës në stadiumin olimpik në Kiev.

Por, CR7 ka qetësuar tifozët e merenguez gjatë mbrëmjes së kaluar ku ka lënë të kuptohet se do ta shohim edhe sezonin e ardhshëm në fanellën e Realit.

“Faleminderit që keni qenë këtu këtë pasdite, kemi bërë histori. Faleminderit që gjithmonë na përkrahni, Është një moment i lumtur dhe jemi shumë të kënaqur. Deri në sezonin e ardhshëm, Hala Madrid!”, tha Ronaldo para tifozëve që kishin mbushur sheshin e Madridit.

Ndryshe, 33-vjeçari ka kontratë të vlefshme me kampionët e Evropës deri në vitin 2021. /Telegrafi/

Exit mobile version