Telegrafi

Tifozët e Atalantas me kore raciste ndaj Batshuayit – belgu i habitur me këtë, presidenti i klubit italian kërkon falje

Presidenti i Atalantas, Antonio Percassi ka kërkuar falje për Michy Batshuayi pasi sulmuesi i Borussia Dortmund dëgjoi kore raciste nga tifozët e klubit italian.

Futbollisti dërgoi një mesazh pas barazimit 1-1 në Stadiumin Mapei në Reggio Emilia, i cili e pa Dortmundin të kualifikohej për raundin e tetës së Ligës së Evropës me rezultat të përgjithshëm 4-3.

Sulmuesi belg në ndeshjen e kthimit ishte pre e tifozëve të Atalantas, të cilët abuzuan në baza racore ndaj Batshuayit, i cili zbuloi fyerjet në rrjetet sociale.

Lexo po ashtu Valon Berisha shënon dhe kualifikon Salzburgun, tutje vazhdojnë Dortmund, Marseille dhe Bilbao (Video)

“2018 dhe ende ka racizëm me zhurma të majmunëve në tribuna … vërtetë?! Shpresoj që të keni kënaqësi të shikoni pjesën tjetër të Ligës së Evropës në TV, pasi ne kaluam tutje”, ka shkruar Batshuayi në profilin e tij.

Presidenti i Atalantas, Percassi u njoftua për postimin e belgut, i cili tregoi për koret raciste, ndërsa nuk përtoi të kërkonte falje.

“Të jem i sinqertë, nuk i dëgjova. Nëse ka ndodhur, atëherë unë jam shumë i trishtuar dhe absolutisht kërkoj falje për Batshuayin”.

Batshuayi në aksion ndaj Atalantas (Getty Images)

“Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë”, ka thënë Percassi për Sky Sport Italia.

Kjo gjë nuk është krejtësisht e re, pasi në janar Atalanta u gjobit dhe tifozët e tyre ultras u dënuan për një ndeshje për shkak të këngëve raciste kundër mbrojtësit të Napolit, Kalidou Koulibaly. /Telegrafi/