Presidenti i Atalantas, Antonio Percassi ka kërkuar falje për Michy Batshuayi pasi sulmuesi i Borussia Dortmund dëgjoi kore raciste nga tifozët e klubit italian.
Futbollisti dërgoi një mesazh pas barazimit 1-1 në Stadiumin Mapei në Reggio Emilia, i cili e pa Dortmundin të kualifikohej për raundin e tetës së Ligës së Evropës me rezultat të përgjithshëm 4-3.
Sulmuesi belg në ndeshjen e kthimit ishte pre e tifozëve të Atalantas, të cilët abuzuan në baza racore ndaj Batshuayit, i cili zbuloi fyerjet në rrjetet sociale.
“2018 dhe ende ka racizëm me zhurma të majmunëve në tribuna … vërtetë?! Shpresoj që të keni kënaqësi të shikoni pjesën tjetër të Ligës së Evropës në TV, pasi ne kaluam tutje”, ka shkruar Batshuayi në profilin e tij.
2018 and still racists monkey noises in the stands … really ?! 🤦🏾♂️ hope you have fun watching the rest of @EuropaLeague on TV while we are through 🙊🙈🙉 #SayNoToRacism #GoWatchBlackPanther ✌🏾
— Michy Batshuayi (@mbatshuayi) February 22, 2018
Presidenti i Atalantas, Percassi u njoftua për postimin e belgut, i cili tregoi për koret raciste, ndërsa nuk përtoi të kërkonte falje.
“Të jem i sinqertë, nuk i dëgjova. Nëse ka ndodhur, atëherë unë jam shumë i trishtuar dhe absolutisht kërkoj falje për Batshuayin”.
“Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë”, ka thënë Percassi për Sky Sport Italia.
Kjo gjë nuk është krejtësisht e re, pasi në janar Atalanta u gjobit dhe tifozët e tyre ultras u dënuan për një ndeshje për shkak të këngëve raciste kundër mbrojtësit të Napolit, Kalidou Koulibaly. /Telegrafi/