Site icon Telegrafi

“Tifozëria” në shërbim të dreqit

Ose: nga ky lloj animi “sportiv” – më vjen të vjellë

Se sporti kosovar nuk ballafaqohet vetëm më probleme e vështirësi të natyrës materiale, infrastrukturës së mangët e të lodhur, injorimit të pashpjegueshëm shoqërorë e institucional për ta ngritur atë më lartë, refuzimit të faktorit ndërkombëtar për të na pranuar në radhët e veta, janë tema e fakte të ditura tash e dymbëdhjetë vjet. Por, (si punëtor e pedagog sportiv) e kamë fjalën për diçka tjetër, për atë që në botën e qytetëruar quhet kulturë sportive e Fair –play. Ose ndryshe për sjellje normale nga aktorët në fushë dhe spektatorët në tribuna. Hiq rasteve të rralla, në përgjithësi nëpër arenat tona sportive dominon e kundërta e asaj që është dukuri e pritur dhe sjelljes korrekte. Ky fenomen dita ditës bëhet arsyeja kryesore pse shikuesi apo simpatizuesi normal heziton të vizitoj arenat tona sportive.

Në këtë mënyrë, sportit kosovar ka rrezik se do t’i kthehet si boomerang me pasoja shumë të dëmshme. Pse? Sepse nuk duhet toleruar që një individ apo grup “tifozësh” me energji ekstreme negative, arrogancë e banalitet, ofendime e kërcënime, t’i përzë dashamirët e vërtet të sportit, atë pjesën e shëndosh të publikut nga tribunat, që në proporcion i bie të jene diku 1 me 5 ose diku më pak e diku më shumë. Për ilustrim të shembullit, parmbrëmë në pallatin e sporteve në Karagaq në ndeshjen e dytë të Pley-offit: Peja – Sigal Prishtina e ku ishin mbi 3000 shikues, pritej së paku një festë e basketbolli. Por edhe shumë minuta para fillimit të ndeshjes kupton se ajo pakica e përfolur e “tifozëve” të bën të ndihesh keq, kurse me fillimin e ndeshjes, i penduar që je pjesë e “spektaklit”.

Ndjej dhembje për atë pjesën e madhe që i takoj edhe unë, si viktimë e asaj “pakice” që nuk lejon ta shijosh atmosferën e sportit. Thirrjet korale për rivalin sportiv të një gjaku e një gjuhe, me arsenalin dhe fjalorin më banal dhe më primitive në kuptimin e fjalës.!? që kishte ardhur për të zhvilluar një ndeshje dhe për të krye një obligim sportive ose ishte përgjigje për PLISAT në mungesë. Ky arsenal i fyerjeve, sharjeve nuk ishin drejtuar vetëm ndaj rivalit dhe trajnerit Krasniqi, motrave dhe nënave të tyre, këtë herë edhe me të shkruar !!??. por edhe ndaj zyrtarëve të FBK-së. Të vjen keq që në mesin e asaj turme të njerëzve të ndershëm nga të dy gjinitë dhe të gjitha moshat, sheh zhgënjimin e tyre (shumë nga ta për herë të parë, ndoshta edhe të fundit) në këtë “ferr” (të mbyllur thuajse hermetikisht, nga të gjitha anët për të penguar hyrjen e asaj pjese të publikut të mbetur jashtë pallatit!), pa ajrosje dhe ventilim që të ngulfat nga të nxehtit e më vonë edhe tymi dhe fishekzjarrët e ndezur.

Edhe ndër shikues, rivaliteti është e bukura e sportit, Edhe pse KB Peja (me dy a tre njerëzit e kryesisë) bashkë me policin e Kosovës, kishte angazhuar tërë potencialin e vet për organizim sa më dinjitoz dhe rrjedhje normale të ndeshjes, këtë herë abstenimi i PLISAVE në Karagaq, jo vetëm se ishte vendim i qëlluar, por edhe rrethanë lehtësuese në menaxhimin e situatës konkrete, e cila për fat kaloi mirë. Dhe pyetja e thjesht: me çfarë të drejte këta “tifozë” qofshin PLISA apo SHQIPONJA maltretojnë dashamirët e vërtet të sportit në tribuna kurse rrezikojnë pa asnjë përgjegjësi jetën e lojtarëve në fushë të lojës duke hedhur edhe mjete të forta e të rrezikshme. A duhet pritur që dikush të pësoj keq apo të paguaj me jetën e vet për të ndërmarrë masa ligjore e ndëshkimore për të ndalë më të keqën.

A nuk ishte e mjaftueshme për këta “ekspert” të sportit, se basketbolli pejan këtë vit shënoi suksesin më të madh të kësaj dege sportive të historikut të vet, me triumfin e pesëfishtë, ndër pionier, junior, femra (dy trofe) dhe senioret në Kupën e Kosovës. E gjithë kjo pas dominimit absolut të Sig. Prishtinës në vitet e paslufte në këto dy fronte. Pikërisht ishte kjo edhe arsye e rikthimit të publikut në palestrën Karagaq, pas shumë viteve pothuaj të boshatisur. Pas triumfit në garat për kupë, ishte rast i mirë që kjo të festohet përpara pallatit të stërmbushur edhe pjesëmarrja në këtë finale të PLEY-OFFI-it. Sepse këtë e merituan lojtarët, trajnerët, publiku, por edhe e ata donator e sponzor, që në këto rrethana të rënda ekonomike, kishin mirëkuptim për të mbajtur gjallë sportin e dërmuar, besa edhe më donacione shtesë: USA përforcime, që ngjalli kërshërinë dhe rivalitetin aq të dëshiruar sportive.

Shumë herë edhe në të kaluarën disa nga sponsorët hoqën dorë nga investimet për sportin, sepse në vend të falënderimit, u ballafaquan më probleme të shumta (edhe jep edhe shahu”),të sigurisë fizike, por edhe të mbulimit të dëmeve materiale të shkaktuara në “dyluftimet” e “tifozerive” që shfryjnë energjinë negative pa asnjë kriter mbi pronën shoqërore dhe atë private.
Në fund edhe një porosi: lojtarët në fushën e lojës duhet të demonstrojnë jo vetëm shkathtësi dhe aftësi fizike e teknike, por në radhë të parë të rrezatojnë kulturë sportive, respekt për rivalin e vet dhe publikun. Çdo devijim nga ky parim, është ushqim për këtë pjesë të “publikut” që nuk është për të mirën e sportit.

Exit mobile version