Shumë tifozë të klubeve shqiptare janë mobilizuar për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit që e ka goditur vendin.
Tashmë janë konfirmuar 20 viktima, e mbi 600 të tjerë janë lënduar.
Tifogrupet “Plisat”, “Ujqit”, “Arpagjikët”, “Intelektualët”, “Torcida”, “Pampurat”, “Vreshtarët” e të tjera janë organizuar për të mbledhur ndihma për qytetarët në Shqipëri.
Mobilizimi në ndihmë vëllezërve e motrave në Shqipëri, po merr përmasa të mëdha kudo në Kosovë.
Dhjetëra të rinj të tifozerive si janë mbledhur sonte në sheshet para Komunave me qëllim grumbullimin e veshmbathjeve dhe ushqimeve në ndihmë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që këtë mëngjes u goditën nga tërmeti shkatërrimtar.
Të bashkuar rreth këtij qëllimi solidar, përfaqësuesit e tifozerisë “Ujqit” thanë se me këtë nismë sadopak synojnë të ndihmojnë rimëkëmbjen pas shkatërrimeve të evidentuara sot nga tërmeti që epiqendër pati Durrësin dhe zona tjera përreth, që për fatin e keq, pati edhe viktima e dëme materiale.
Nga kjo nismë kërkohet nga qytetarët e Ferizajt që të sjellin veshmbathje e ushqime që sadopak do të ndikonin në përballimin më të lehtë të gjithë kësaj situate.