O sot o kurrë shqiptarët kudo që janë ata, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginën e Preshevës si dhe në Diasporë, duhet të jenë tok lidhur me raportin e një agjenti të paguar mirë nga qarqet serbe dhe antishqiptare Dick Marty. Raport, i cili jo rastësisht publikohet tani, ende pa përfunduar mirë procesi zgjedhor në Kosovë si dhe ajo më e rëndësishmja para fillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi. Në rrethana normale, pa raportin e agjentit ruso-serb, fillimi i drejtpërdrejtë i bisedimeve Kosovë-Serbi pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë dhe pas konstituimit të institucioneve që do të dilnin nga këto zgjedhje, do të thoshte në një farë mënyre ( de facto) pranim i pavarësisë së Kosovës nga ana Serbisë. Kjo për faktin sepse bisedimet do të zhvilloheshin, sa i përket rrafshit politik, në mes delegacioneve që udhëheqin me institucionet e vendeve përkatëse. Mes kryetarit të Serbisë, Boris Tadic dhe (pa dashur të paragjykoj pa përfunduar ende procesi zgjedhor, por tashmë kemi rezultate preliminare) kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Pra bisedime mes zyrtarëve të dy shteteve. Normalisht që kjo do të ishte një fitore e madhe për Kosovën dhe gjithsesi se kjo do te ndikonte edhe tek pesë shtetet e BE–së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë. E kjo doemos se do nxiste edhe shumë njohje të tjera duke rrumbullakuar dhe përmbyllur fazën e njohjeve të nevojshme për shtetin e Kosovës. Mbase mund të gabohem, por unë kështu e shoh këtë raport lidhur me kohën dhe mënyrën se si u publikua.
Me këtë rast deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhënë para ca ditësh në një intervistë për një media, citat: “porosis Dick Marty-in që të gjej avokat shumë të mirë” , do t’i shtoja diçka pjesën “shqiptarët do jenë avokatët më të mirë për të mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së dhe në rastin konkret të Kryeministrit Hashim Thaçi”, të cilin jo rastësisht përpiqet ta godasë në raportin e tij agjenti ruso-serb, Dick Marty, dhe pikërisht në këtë kohë. Edhe për diçka jam i bindur, se sikur Dick Marty ta publikonte këtë raport para zgjedhjeve, shumica dërmuese e shqiptarëve të Kosovës do ta votonin Hashim Thaçin dhe partinë e tij dhe mbase nuk do të kishte nevojë për të bërë koalicion me asnjë parti tjetër për ta bërë qeverinë. Edhe këtu mbase mund të gabohem. Por duke patur parasysh sensin solidarizues të popullit tonë, sidomos kur armiku mundohet t’ia njollos figurat të cilat populli i llogarit për heronj, kam bindjen se këtu shqiptarët pa patur parasysh partitë politike, do të solidarizoheshin edhe më shumë me Hashim Thaçin dhe partinë e tij. Fillimisht për ti treguar edhe Dick Marty-it edhe të tjerëve si puna e tij, se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër si loti dhe çlirimtare, dhe se udhëheqësit e saj i mbron populli edhe me formën më demokratike, pra nëpërmjet votës.
Më këtë rast si shqiptar, i jap vetes një të drejtë qe t’ju apeloj të gjitha partive politike në Kosovë, duke përfshi këtu edhe partinë më të re parlamentare “Vetëvendosje” që të ulin gjuhën e urrejtjes dhe të reagojnë në frymën e kohës. Jo për të mbrojtur Hashim Thaçin dhe të tjerët rreth tij, flas gjithmonë për rastin konkret pra për raportin e Dick Marty-it, por për të mbrojtur luftën e UÇK-së në të cilën edhe shumë anëtarë të “Vetëvendosjes” dhe partive tjera ishin pjesëmarrës direkt. Pra për të mbrojtur luftën me të cilën të gjithë shqiptarët kudo që janë krenohen. Këtë mund dhe duhet ta bën gjithë spektri politik i shqiptarëve të Kosovës ( nuk parapëlqej t’i quaj Kosovarë e mbase dikush mund të ma merr për të madhe, por unë njoh vetëm një komb shqiptarë të shpërndarë në disa shtete ). Kjo për arsyen se raporti i agjentit ruso-serb mëton të jetë goditja më e rëndë që po tentohet t’i bëhet popullit shqiptarë në përgjithësi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke tentuar ta zhvendosin vëmendjen nga gjenocidi që ka ushtruar makineria serbe me dekada të tëra ndaj popullit shqiptarë të Kosovës, në një farë shtëpie te verdhë a të kuqe të Dick Marty-it e të tjerëve si puna e tij. Pra duke viktimizuar atë që ka ushtruar gjenocidin e paparë ndaj një populli të tërë ku ende nuk dihet asgjë dhe askush nuk jep llogari për fatin i mijëra shqiptarëve të zhdukur të Kosovës nga po kjo makineri ushtarake serbe! Duke tentuar që viktima në këtë rast shqiptarët e Kosovës, në kohën kur ishte në pyetje ekzistenca e tyre fizike në Kosovë dhe mezi arrinin që të siguronin armatimin e nevojshëm për t’i bërë ballë makinerisë shfrenuese serbe dhe për të mbrojtur pragun e shtëpisë e për ta çliruar përfundimisht Kosovën nga pushtuesit serb, paskan patur kohë dhe mundësi të merren edhe me shpija të verdha e të kuqe e ku ta di se çfarë! UÇK-ja me gjithë vullnetin e madh dhe përkrahjen e madhe që gëzonte në popull për të luftuar për lirinë e Kosovës, mezi po arrinte në atë kohë të siguronte një kallashnikov qoftë ai edhe i prodhimit kinez, për djemtë apo ushtarët e saj qe vinin nga të gjitha trojet shqiptare dhe prisnin me ditë apo javë të tëra për të hyrë në luftë, pikërisht sepse mungonte edhe kallashnikovi kinez!
Populli thotë “ti themi sa s’na kanë thënë”
Mbase shqiptarët e Kosovës sidomos institucionet e Kosovës, duke harruar nganjëherë bontonin politik, duhej të ishin më të zëshëm në zbardhjen e fatit te mijëra shqiptarëve të zhdukur të Kosovës. Kam bindjen se po të ishin më të zëshëm në atë drejtim institucionet e Kosovës, raporti i Dick Marty-it dhe të tjerëve do të ishte më shumë se sa qesharak dhe nuk do të merrte aq shumë vëmendje, as nga spektri politik shqiptar dhe as nga ai ndërkombëtar. Dua të them se mbase nga një pavëmendësi dhe joazhuritet për të qenë aktiv në kërkesën për të zbardhur krimet e kryera në Kosovë nga makineria ushtarake serbe, tani krejt papritmas vendosemi në karrigen e të akuzuarit si popull nga një raport i Dick Marty-it! E them këtë për faktin se do të ishte shumë më mirë që të merreshim me arsyen se sa me pasojat. Tani jemi të detyruar të merremi edhe me pasojat fatkeqësisht. Edhe në këtë rast politika serbe nëpërmjet agjentëve të tyre të mirëpaguar, me mjeshtri dhe dinakëri po e luan lojën tashmë të njohur të tyre: “sulmi është mbrojtja më e mirë” . Dhe jo rastësisht reagimet zyrtare serbe janë shumë të matura, gjoja për të krijuar bindjen se ata nuk kanë gisht në këtë raport dhe duke falënderuar se me në fund e “vërteta serbe” po del në shesh! Por edhe kjo tashmë është si puna e strucit që futë kokën në tokë dhe pjesët tjera i mbeten jashtë. Edhe në këtë rast Serbisë dhe zyrtarëve të saj i kanë mbet jashtë disa pjesë.
Nga e gjithë kjo bujë e madhe e krijuar rreth këtij raporti skandaloz dhe antishqiptarë, shqiptarët nuk kanë pse të ndjehen keq. Nuk kanë asnjë arsye të ndjehen keq, përveç faktit se pse nuk kanë qenë më të zëshëm dhe më aktiv në kërkesat për zbardhjen e të vërtetës mbi masakrat serbe ne Kosovë dhe fatin e të zhdukurve ku sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për ta. Në anën tonë është historia, janë faktet. Para se të fillojmë të mbrohemi lidhur me këtë raport, duhet të kërkojmë edhe nga Dick Marty edhe nga shume “ekspertë” të tjerë si puna e tij, por edhe nga vete Serbia dhe shumë institucione ndërkombëtare që të zbardhet fati i shumë shqiptarëve të zhdukur dhe të mos mundohen të na hedhin hi syve. Neve si shqiptarë jo e jo, por as edhe faktorit ndërkombëtar dhe miqve të popullit shqiptarë që fatmirësisht nuk janë të pakt me në krye SHBA-të.
Personalisht mendoj se shumë vëmendje po i jepet këtij raporti sa skandaloz aq edhe kontraverz, që mund t’a shpikë vetëm një mendje e frustruar antishqiptare i cila gjithsesi se mundohet me çdo kusht ta arsyeton qëllimin pa marrë parasysh mjetet. Shqiptarët duhet të reagojnë më me maturi dhe me një zë të qartë, e ky zë nuk duhet të jetë me ngjyra arsyetimi dhe shfajësimi në asnjë mënyrë, por përkundrazi, dinjitoz dhe argumentues, siç ka ditur të jetë edhe në kohë më të vështira dhe shumë më të rënda për ne si komb.
Nga ajo që kemi parë në media elektronike rreth shtëpisë tashmë të famshme “shpija e verdhë” lirisht mund të konkludojmë se aty as nuk mund të jetohet e lëre më të bëhen gjëra për të cilat apostrofohet ajo shtëpi. Besoj se nuk jam keqkuptuar, nga familjaret dhe pronarët e asaj shtëpie.
Në fund më lejoni ta ironizoj pak raportin e këtij far Dick Marty-it
Kosova bashkë me Shqipërinë edhe sot në vitin 2010 fatkeqësisht nuk janë në gjendje të bëjnë transplantim veshkësh apo organe të tjera. Prandaj para se të na akuzojnë për gjëra që mund t’i pjell veç mendja e Dick Marty-it, do të bënin mirë që të na ndihmonin në përmirësimin e kushteve në shëndetësinë tonë, sidomos në pajisje me aparatura që edhe për një sëmundje shumë “ordinere” nëse mund ta quaj të tille, e që qytetarët e Kosovës të mos kenë nevojë të shkojnë jashtë shtetit të tyre për t’u mjekuar. Në emër të gjithë popullit shqiptarë të Kosovës iu them se do t’u ishim shumë mirënjohës.