Site icon Telegrafi

A do t’i mbyllë Haradinaj gjashtë universitetet publike të hapura nga Thaçi?

Hashim Thaçi derisa ishte Kryeministër kishte bërë me Universitete publike gjashtë qytete, si Prizrenin, Pejën, Gjilanin, Gjakovën, Mitrovicën e Ferizajn. Ministria e Arsimit ka formuar një komision për vlerësimin e qëndrueshmërisë së këtyre universiteteve.

Ministri Shyqiri Bytyqi ka paralajmëruar mundësinë e shndërrimit të tyre në Fakultete. Kryeministri ka thënë se do të veprohet me kujdes.

Në fakt, edhe gjatë fushatave zgjedhore, lideri i AAK-së kishte thënë se Kosova s’ka nevojë për kaq shumë universitete publike.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, gjatë ditës së sotme ka thënë se do të shikohet mundësia e ri-dizajnimit të universiteteve publike.

Sipas tij, universitetet në fjalë, përveç atij të Prishtinës, mund të shndërrohen në fakultete të profilizuara me nevojat e rajoneve ku ndodhen.

Bytyqi ka treguar se komisioni i formuar për të vlerësuar gjendjen e universiteteve publike, do të dalë me një raport, i cili do të tregojë qëndrueshmërinë e tyre.

“Lidhur me komisionet për vlerësimin e qëndrueshmërisë së universiteteve publike, kemi formuar një komision, faktikisht komisioni është pothuajse në finalizim të punës. Ideja e këtij komisioni është që të bëjë një vlerësim të qëndrueshmërisë dhe të cilësisë së universiteteve publike”, ka treguar ai.

Ministri Bytyqi tha se shndërrimi i universiteteve publike në fakultete, do të bëhet edhe duke i profilizuar ato me nevojat e tregut të punës në rajonin ku ato ndodhen.

“Në kuadër të vlerësimit, nëse vërejmë që cilësia nuk është në nivelin e duhur, dhe qëndrueshmëria vihet në pikëpyetje, atëherë këto universitete mund të shndërrohen në fakultete përkatëse, të dy universiteteve në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për mbyllje të fakulteteve, por vetëm për shndërrim në kampuse të dy universiteteve në Kosovë”.

Ai ka thënë se krejt kjo po bëhet për të ngritur cilësinë në arsim, shkruan Express.

“Mendojmë në ngritjen e cilësisë. Mendojmë se edhe kryeministri është i interesuar të na përkrahë në ngritjen e cilësisë së sistemit universitar”, ka thënë ministri Bytyqi.

Aktualisht në Kosovë janë të hapura Universitete publike, në Prishtinë, në Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë e Ferizaj. /Express/

Exit mobile version