Site icon Telegrafi

A do t’i mbrojë ligji i ri fëmijët nga keqtrajtimet dhe punët e rënda?

Fatima, është një vajzë 14-vjeçare nga Fushë Kosova e cila çdo ditë nga ora 6 e mëngjesit vjen në Prishtinë ku për 10 orë rresht përpiqet të bëjë punë të ndryshme për të siguruar paratë e nevojshme për veten dhe familjen.

Ajo, bashkë me vëllanë dhe një grup fëmijësh të tjerë, pastrojnë xhamat e veturave, mbledhin gjësende metali nëpër rrugë dhe si kundërshpërblim marrin një fitim që arrin deri në 10 euro në ditë. E detyruar të punojë, Fatima ka ndërprerë edhe shkollimin.

“Punoj çdo ditë dhe i fitoj deri në 10 euro në ditë. Në shkollë nuk shkoj, nuk kam mundësi. Edhe unë nuk jam fëmijë, prandaj punoj, unë tash i kam 14 vjet”, thotë Fatima.

Fëmijë si Fatima ka mjaft shumë rrugëve të qyteteve të Kosovës, të cilët punojnë punë nga më të ndryshmet. Këta fëmijë, përbëjnë vetëm një nga kategoritë që nesër mund t’i mbrojë sado pak Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, i miratuar këto ditë në Kuvendin e Kosovës.

Ligji për mbrojtjen e fëmijëve ka për qëllim të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e tyre.

Krahas punëve që angazhohen që çon edhe në ndërprerjen e shkollimit, në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare dhe atyre të organizatave joqeveritare, shumë fëmijë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës, qoftë në familje, shkolla apo në rrugë. Si pasojë e dhunës në familje, gjatë vitit 2018 është raportuar vdekja e një djaloshi 14-vjeçar.

Derisa në përgjithësi, sipas statistikave të organeve të rendit, si pasojë e dhunës, në vitin 2016, janë evidentuar katër raste, kurse në vitin 2017 pesë raste të vrasjeve të rënda në familje.

Përpos dhunës, fëmijëve u shkelen të drejtat edhe në shumë mënyra të tjera.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi dhjetë për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda, derisa afër shtatë për qind punojnë në kushte të rrezikshme.

Këtë javë, Policia e Kosovës identifikon 58 fëmijë lëmoshë-kërkues nëpër rrugë, prej të cilëve 21 shtetas kosovarë dhe 37 shtetas shqiptarë.

“Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative, në veçanti luftën kundër abuzimit me fëmijë, ka përpiluar një plan operativ të emëruar ‘Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit’, i cili plan u implementua në qershor 2019 dhe është zbatuar në gjithë territorin e Kosovës, nga të gjitha njësitë e drejtorisë kompetente policore dhe akterët tjerë relevantë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nisur nga kjo gjendje, Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, i cili ditë më parë u miratua nga Kuvendi i Kosovës, synon të garantojë dhe sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës bazuar në interesin më të lartë të fëmijës si dhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit.

Kështu tha Klevis Vajqari, nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, e që bashkë me organizatat anëtare si pjesë e grupit punues për hartimin e Projektligjit për mbrojtjen e fëmijëve, përgjatë pesë vjetëve ka përfaqësuar organizatat për mbrojtjen e fëmijëve dhe ka ofruar ekspertizën dhe mbështetjen e nevojshme me qëllimin të hartimit të një ligji të avancuar, që mbron interesin dhe të drejtat e fëmijëve.

“KOMF në të njëjtën kohë është duke punuar për hartimin e formulës së financimit të shërbimeve sociale dhe krijimit të grantit specifik për shërbime sociale, në mënyrë që të sigurohet minimumi i financimit të shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve. KOMF si pjesë e grupit punues për hartimin e formulës së financimit, do ofrojë mbështetjen e nevojshme për paraqitur nevojat reale dhe për të ndarë buxhetin e adekuat për fëmijët”, tha Vajqari.

Ligji për mbrojtjen e fëmijëve konsiderohet i mirë, por ngjashëm me shumë ligje tjera, efektet e tij mbeten nën pikëpyetje nëse ai nuk arrin të zbatohet.

Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, tha për Radion Evropa e Lirë se nga përvoja që kanë, zbatimi i ligjeve në Kosovë është i mangët. Andaj, siç tha Jashari do të nisin monitorimin e këtij ligji, ndonëse afati kohor për zbatimin e tij është njëvjeçar.

“Prej përvojës së deritanishme është vështirë të besohet që edhe ky ligj do të gjejë zbatim, pasi shumica e ligjeve e kanë pasur fatin e moszbatimit të tyre”, tha Jashari.

“Kjo ka qenë edhe vërejtje e jona për Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër, ky ligj përjashtimisht ka lënë një afat kohor prej një viti në mënyrë që institucionet përgjegjëse të nxjerrën aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji dhe mbetet afati kohor, nëse do të përfillen afatet kohore që janë lënë në dispozicion”, theksoi ai.

Jashari thotë se ka shqetësime reale në lidhje me aftësinë e institucioneve për zbatimin e këtij ligji. Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve ishte cilësuar si sfidë për Kosovën edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian. /rel/Telegrafi/

Exit mobile version