Telegrafi

T’i mbështesim gratë në agrobiznes – Thirrje nga EcoKosWomen

Vetëdijesimi për përfshirjen gjinore dhe sociale, ishte qëllimi i evntit organizuar nga Eco KosWomen sot në qytetin e Prishtinës. Eventi është në kuadër të projektit EREA, i cili mbështetet nga Caritas-i Zviceran në Kosovë dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

Në këtë event janë shpalosur mesazhe që kanë për qëllim vetëdijesimin për rolin e grave në shoqëri, duke nxitur ndryshime pozitive që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të grave, dhe njëkohësisht avancojnë barazinë gjinore në Kosovë.

Fushata ka për qëllim të theksojë rolin e rëndësishëm të grave në zhvillimin e shoqërisë, duke përçuar mesazhe të fuqishme si: “Një grua e fuqishme mbështet një grua tjetër” dhe “Barazia dhe gjithëpërfshirja janë çelësi i suksesit”.

Këto mesazhe do të shfaqen nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë kryeqytetin, si një thirrje për veprim ndaj të gjithë aktorëve të shoqërisë.

Eventi ka vendosur si temë qendrore fuqizimin ekonomik të grave dhe promovimin e rolit të tyre në bujqësi dhe vendimmarrje. Aktivitetet përfshijnë ndërgjegjësimin për rëndësinë e qasjes së grave në burime si grantet për zhvillimin bujqësor dhe përmirësimet infrastrukturore që lehtësojnë transportin për gratë në zonat rurale.

“Gratë, kudo që janë, meritojnë mundësi të barabarta”, theksojnë organizatorët, duke nënvizuar se mbështetja e barazisë gjinore është një faktor kyç në ndërtimin e një të ardhme më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë.

Organizatorët kanë bërë thirrje për të bashkuar forcat për të krijuar një Kosovë më të fuqishme dhe më të drejtë, duke ndërtuar ura të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve për të përkrahur gratë në çdo aspekt të jetës.

Fushata është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së diversitetit dhe përfshirjes sociale, si dhe për të krijuar mundësi konkrete për gratë që të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të kontribuojnë në shoqëri.

Eventi është pritur pozitivisht nga komuniteti dhe institucione të ndryshme, të cilët kanë premtuar mbështetjen e tyre për nismat që fuqizojnë rolin e grave në shoqëri.

Maketa si në Prishtinë me mesazhe vetëdijesuese do të shpërndahen edhe në qytetet tjera të Kosovës si: Peja, Prizreni, Podujeva, Mitrovica, Shtërpca dhe Ferizaj.