Komisioni Evropian njoftoi të hënën se do t’i japë 400 milionë euro nismës së OBSH për të blerë vaksinën antiCOVID-19.
Një iniciativë e quajtur COVAX planifikon të blejë 2 miliardë vaksina të mundshme, nga prodhues të shumtë, deri në fund të vitit 2021.
Komisioni Evropian po negocion blerjen e një vaksine antiCOVID-19 me disa kompani farmaceutike në emër të 27 vendeve anëtare dhe ka njoftuar javët e fundit se qeveritë anëtare nuk mund të sigurojnë vaksina paralelisht.
“Sot, Komisioni njoftoi se do të paguajë 400 milionë euro COVAX për blerjen e përbashkët të vaksinave të ardhshme, për përfitimin e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme,” tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Komisioni shtoi në një deklaratë se ishte i gatshëm, së bashku me anëtarët e tjerë të BE, “për të ndarë ekspertizën dhe burimet brenda COVAX për të përshpejtuar zhvillimin dhe për të rritur prodhimin e vaksinave për qytetarët në të gjithë botën, në vendet e varfra dhe të pasura”. /KP/